Sport

Kloppi mezi pret fillimin e Premier Ligës

Menaxheri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka pranuar se po ndihet i lumtur me fillimin e kampanjës së re në Premier Ligë.

Të kuqtë siguruan një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ri ndërsa parasezonin e përfunduan me fitoren 3 me 1 ndaj Athletic Bilbaos në Dublin të shtunën e kaluar.

Këtë të shtunë Liverpooli udhëton për ndeshjen ndaj Watfordit dhe Klopp synon fitoren në ndeshjen e parë.

“Kur ne përfunduam në pozitën e katërt të gjithë ishin të lumtur për këtë – ishte përfundim i mirë për formën që kishim”, ka thënë Klopp.

“Sfida e parë për ne është Watfordi, edhe pse të gjithë po flasin për kualifikimet në Ligën e Kampionëve. Prandaj Watfordi është qëllimi jonë i parë dhe kemi pak ditë që të përgatitemi për këtë ndeshje”, ka shtuar trajneri gjerman.

“Jemi në formë të mirë. Lojtarët janë në disponim dhe sjellja në të gjitha stërvitjet ishte shumë e mirë – po, kemi pasur një apo dy lëndime të vogla dhe një më të madh, por kështu shkon jeta”, ka thënë veç të tjerash Klopp.