Sport

Kosova pritet ta ftojë Dallkun e Jashanicën

Dy qendërmbrojtësit, Ardin Dallku dhe Bajram Jashanica pritet të marrin ftesë nga përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, për dy ndeshjet e radhës që Kosova i luan në fillim të shtatorit.

Përzgjedhësi Bunjaki ka theksuar se vendimin përfundimtar do ta marrë në fund të javës, shkruan Koha Ditore. Por ai ka lënë të kuptohet se të dy mbrojtësit do t'i ketë në dispozicion për ndeshjen e 2 shtatorit, kundër Kroacisë në Zagreb dhe ndeshjen e 5 shtatorit kundër Finlandës në Shkodër, që zhvillohen në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror "Rusia 2018".

Dallku, 22-vjeçar ka luajtur katër ndeshjet e këtij edicioni te Vorskla, që garon në elitën e futbollit të Ukrainës. Titullar është edhe Jashanica 26-vjeçar, te skuadra e Skënderbeut të Korçës.

"Jam duke e vëzhguar Ardin Dallkun dhe mund të ftohet për ndeshjet e radhës. Paraqitjet e tij me Vorsklan e bëjnë interesant për ne. Gjatë këtyre ditëve do të marr vendim, por besoj se do të jetë me ne. Menaxheri i përfaqësueses Bajram Shala ka biseduar me Ardinin, por edhe unë do të vë kontakt gjatë këtyre ditëve. Me Jashanicën kam biseduar personalisht", ka thënë Bunjaki të martën për gazetën Koha Ditore.

Ardin Dallku është vëllai i vogël i Armend Dallkut, që ka luajtur gjatë te Vorskla dhe tani është te Prishtina. Për dallim nga Armendi që kohë të gjatë ishte pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, Ardini deri më tani nuk është paraqitur për ndonjë përfaqësuese....(më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.