Sport

Alves: Nuk e binda Neymarin të vinte te PSG-ja, ishte ai që më këshilloi mua

Mbrojtësi brazilian, Dani Alves ka mohuar të ketë bindur Neymarin që të bashkohej me të te gjiganti francez, Paris Saint-Germain, ndërsa thotë se Neymari i kishte sugjeruar atij që të transferohej te PSG-ja.

Alves iu bashkua në këtë afat kalimtar PSG-së nga Juventusi, dhe më vonë edhe Neymari u largua nga Barcelona për t’u bashkuar me të te PSG-ja, transmeton Koha.net. Dhe mbrojtësi brazilian është akuzuar se ka bindur Neymarin të largohet nga Barcelona.

“Mendoj se njerëzit po gabojnë. Jam unë ai që duhet të falënderoj Neymarin që më këshilloi të vij këtu (te PSG-ja). Ishte ai që më kërkoi të vija te PSG-ja sepse ai ishte i gatshëm që të vinte, dhe nuk ishte e kundërta”, ka thënë Alves, raporton Sky Sports.

Alves më tutje ka shtuar se, “ai e dinte që doja të largohesha nga Juventusi. Neymari është i rritur. Tashmë nuk është djali i ri që kishte ardhur në Barcelonë. Në atë pikë, po, e kam ndihmuar dhe e kam këshilluar që të vinte te Barcelona, por jo në Paris. Nuk kam bërë asgjë”.