Sport

Messi dhe Alvarezi i prijnë sulmit të Argjentinës që mbrohet me pesë lojtarë

Lionel Messi dhe Julian Alvarez do t’i prijnë sulmit të Argjentinës në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Botës ndaj Holandës, që nis në orën 20:00.

Prapa shpinës së tyre, do të luajnë treshja Rodrigo De Paul, Alexis MacAllister e Enzo Fernandez.

Ndërkohë, ndryshimi më i madh në formacionin e trajnerit të Argjentinës, Lionel Scaloni është në repartin e mbrojtjes. Scaloni këtij takimi ka vendosur t’i qaset me pesë mbrojtës: Marcus Acunan, Lisandro Martinezin, Nicolas Otamendin, Cristian Romeron dhe Nahuel Molinan. Në portë, do të jetë Emiliano Martinez.

Në anën tjetër, Louis Van Gaal ka vendosur që sulmi i tij të përbëhet nga dyshja Steven Bergwijn e Memphis Depay, të cilët do ta kenë prapa Cody Gakpon.

Mesfusha do të përbëhet nga Marten De Roon e Frenkie De Jong.

Ndërsa, para portierit Andries Noppert do të luajë kapiteni Virgil Van Dijk, Nathan Aken e Jurrien Timber. Denzel Dumfries në të djathtë e Daley Blind në të majtë kompletojnë repartin defanziv.