Sport

Van Gaali e sheh Brazilin si ekip të zakonshëm

Trajneri i Holandës, Louis van Gaal aspak nuk ka mbetur i impresionuar me paraqitjen e Brazilit deri më tani në Kupën e Botës. Edhe pse Brazili po konsiderohet si favoriti kryesor për të triumfuar në Katar, trajneri holandez nuk e ka një mendim të tillë.

Brazili është kualifikuar në çerekfinale pasi mposhti 4:1 Korenë e Jugut për ta regjistruar fitoren e tretë në katër ndeshje të luajtura.

Megjithatë, Van Gaal ka thënë se aspak nuk i ka bërë përshtypje paraqitja e Brazilit, sidomos në duelin ndaj Koresë së Jugut.

“I shikova ata duke luajtur dhe lexova së çfarë shkruhej për Brazilin në mediat holandeze. Thuhet se loja e tyre është shpërthyese dhe është e bukur. Por, unë e pash një ekip të zakonshëm që ishte i fokusuar në kundërsulme. Koreja e Jugut vetëm sulmoi, ndërsa Brazili ia ktheu me kundërsulme. Asgjë më shumë”, tha Van Gaal të martën për televizionet holandeze.