Sport

Australiani që nuk luajti fare siguron fanellën e Messit

Mesfushori i Australisë, Cameron Devlin nuk luajti asnjë minutë në Kampionatin Botëror, por ai u largua nga Katari me një çmim shumë të madh pasi arriti ta shkëmbejë fanellën me Lionel Messin.

Devlin arriti ta sigurojë fanellën e Messit pas ndeshjes së 1/8 të finales, të cilën Australia e humbi 2:1 nga Argjentina. Madje, në këtë ndeshje Messi shënoi gol dhe ishte më i miri në fushë.

“Pas ndeshjes, u futa në fushë dhe pasi ngushëllova bashkëlojtarët, iu afrova Messit dhe e pyeta. Ai më tha se shihemi brenda, kështu që shkëmbyem fanellat”, ka zbuluar Devlin.

24-vjeçari thotë se shfrytëzoi rastin për ta pasur fanellën e Messit, pasi askush prej lojtarëve të Australisë nuk iu afrua yllit të Argjentinës për t’ia kërkuar fanellën. “U befasova kur Messi solli fanellën e tij dhe e mori timen.

Kjo fanellë do ta ketë një vend të veçantë në shtëpinë time dhe nuk do të lejoj askënd ta prekë atë”, shtoi australiani.