Sport

Arabët bashkohen për të festuar avancimin e Marokut

Së pari Katari doli jashtë duke u eliminuar nga Kupa e Botës me bilancin më të keq të një vendi nikoqir. Më pas ecuria e Arabisë Saudite përfundoi, pavarësisht një fitoreje historike kundër Argjentinës javën e kaluar. Edhe Tunizia u eliminua, me gjithë triumfin dramatik ndaj kampiones në fuqi, Francës.

Në Kupën e parë Botërore që mbahet në Lindjen e Mesme, Maroku është shpresa e fundit e botës arabe. Rajoni i copëtuar po grumbullohet rreth vendit të Afrikës së Veriut pas fitores 2:1 të enjten kundër Kanadasë, që e çoi Marokun në fazën e eliminimit të turneut për herë të parë që nga viti 1986. Suksesi i Marokut shkaktoi trazira në rrugë në Belgjikë, pas një ndeshjeje më herët. Por të enjten mbrëma shkaktoi një vërshim gëzimi në botën arabe, ku skuadrat vendase shpesh janë të dobëta.

Ka pasur festime në qytetin e Gazës dhe në Kajro. Një gëzim i ngjashëm dhe shprehje e vullnetit të mirë rajonal pasoi fitoren tronditëse të Arabisë Saudite kundër Argjentinës. Arabët gjithashtu kanë mbështetur organizimin e Kupës së Botës nga Katari, përballë kritikave të ashpra perëndimore. Marokenë të ngazëllyer, kataras, sauditë, palestinezë dhe të tjerë vërshuan rrugicat historike të sheshit Souq Waqif në Doha pas fitores së Marokut. Ata ishin të veshur me ngjyrat kuq e gjelbër dhe kanë valëvitur flamuj marokenë në festë. Flamuri ndriçoi rrokaqiejt vezullues përgjatë Dohas. Turmat e gëzuara brohorisnin: “Urime për ne për këtë fillim! Do të vazhdojë dhe do të vazhdojë!”

Metroja pranë stadiumit “Al Thumama” u bë një vend feste dhe vallëzimi për marokenët që u binin daulleve në dritare dhe festonin si të çmendur.

“Të gjithë arabët u larguan nga turneu, por ne e kompensuam atë dhe morëm hakmarrjen tonë”, tha Najwa Boumahraz, një marokene që jeton në Londër. “Ne jemi shumë krenarë. Unë kam ardhur në Katar për ta përkrahur Marokun por edhe vendet tjera arabe. Tani, të gjithë arabët i kanë kthyer sytë kah Maroku dhe unë ndihem shumë krenare”

Malika Jellal, një biznesmene nga Casablanca, Marok, tha se ndihej si një personazh i famshëm të enjten pas fitores ndaj Kanadasë. Me këtë triumf Maroku e mbylli fazën e grupeve si lider i Grupit F me shtatë pikë dhe në 1/8 e finales do të përballet me Spanjën.

“Arabët vazhdojnë të vijnë tek unë dhe të thonë ‘faleminderit, na nderuat, na shpëtuat të gjithëve!’”, tha ajo.

Dy vëllezër sauditë që kishin fluturuar në Doha nga provinca lindore Dammam për të parë ndeshjen nga tribunat, thanë se ishin aq krenarë për Marokun sa praktikisht e harruan pikëllimin e tyre që ua kishte shkaktuar eliminimi i Arabisë Saudite në fazën e grupeve.

“Gjatë kësaj jave ne ndihemi si arabë, ne jemi të gjithë një popull”, tha 23-vjeçari saudit Turki al-Qahtani, i mbështjellë me një flamur maroken. “Ne harrojmë kufijtë në këtë Botëror dhe kjo është diçka madhështore. Ne duhet t’i përkrahim të gjithë arabët”.