Sport

Sensori i topit konfirmon: Ronaldo nuk realizoi gol ndaj Uruguait

Descriptive Text

Cristiano Ronaldo nuk ka pasur kontakt me topin në golin e parë të Portugalisë në fitoren 2:0 ndaj Uruguait në Botërorin “Katari 2022”, sipas të dhënave të marra nga një sensor brenda topit të ndeshjes.

Debat i madh shpërtheu të hënën nëse Ronaldo, që ia atribuoi vetes golin, arriti të prekte topin pas harkimit të Bruno Fernandesit. FIFA njoftoi se golashënues është Fernandes, por superylli portugez Ronaldo ishte i bindur se vendimi është i gabuar.

Tani, “Adidas” ka dhënë prova se goli me të drejtë iu atribuua Fernandesit dhe jo 37-vjeçarit.

“Në ndeshjen mes Portugalisë dhe Uruguait, duke përdorur teknologjinë ‘Connected Ball’, brenda topit të Adidasit ‘Al Rihla’, jemi në gjendje të tregojmë definitivisht se nuk ka pasur kontakt nga Cristiano Ronaldo në golin e parë të ndeshjes. Asnjë forcë e jashtme në top nuk mund të vërehet siç tregojnë matjet dhe grafiku. Sensori brenda topit na mundëson të jemi shumë të saktë në analizat tona”, ka thënë “Adidasi”.

Një sensor gjendet brenda topit për të ndihmuar gjyqtarët me çështjen e pozitës jashtë loje në sistemin VAR. Teknologjia mundëson të mblidhen të dhënat për çdo prekje deri në shkallë prej 500 herë për sekond.