Sport

Ronaldo insiston në pafajësi

Sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka insistuar në pafajësinë e tij, pasi ka dëshmuar në gjykatë të hënën kundër akuzave për evazion fiskal në vlerë prej 14.7 milionë eurosh.

Portugezi 32-vjeçar, që ishte në gjykatën në Pozuelo de Alarcon për afro 90 minuta, ka refuzuar të flasë për gazetarët pas daljes nga gjykata, mirëpo ka lëshuar një komunikatë nëpërmjet agjencisë së tij përfaqësuese Gestifute, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

“Autoritetet tatimore spanjolle dinë të hyrat e mia në mënyrë te detajuar, pasi u kemi dhënë çdo informatë atyre. Kurrë nuk kam fshehur asgjë në deklarimet e mia apo nuk kam pasur as qëllimin më të vogël për të bërë evazion fiskal. Unë gjithmonë deklaroj të hyrat vullnetarisht, pasi mendoj se të gjithë duhet të deklarojmë dhe paguajmë taksat në përputhje me të hyrat tona. Ata që më njohin mua e dinë se çfarë u kërkoj këshilltarëve të mi: që të marrin pak kohë për këtë dhe të paguajnë në mënyrë korrekte, pasi nuk dua probleme”, është thënë në komunikatën e Ronaldos.

Ronaldo ka shpjeguar se ai nuk e ka krijuar strukturën speciale për të menaxhuar të hyrat nga të drejtat e tij të imazhit pas transferimit te Reali nga Manchester Unitedi në vitin 2009, duke thënë se kjo strukturë ishte e ligjshme nga autoritetet tatimore angleze.

Gjykatat spanjolle së fundi kanë pasur raste të shumta për evazion fiskal nga lojtarët elitarë.

Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, është dënuar me 21 muaj burgim me kusht këtë vit me akuzën për evazion fiskal, por me ligjin spanjoll ai është në gjendje ta kthejë këtë në një gjobë disamilionëshe.