Sport

Superkupa e Kosovës në basketboll shtyhet për dhjetor

Superkupa e Kosovës në basketboll në konkurrencën e meshkujve, nuk do të luhet deri në muajin dhjetor. Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), të hënën ka marrë vendim për ta shtyrë organizimin e kësaj ngjarjeje për një muaj.

Në fakt, Superkupa e Kosovës ishte parapara të zhvillohet muajin tjetër (9-12 nëntor), data në të cilat organizohet edhe garat e FIBA-s, në të cilat do të paraqitet trajneri i Golden Eagle Yllit, Adis Beqiragiq si përzgjedhës i Bosnjë e Hercegovinës.

Kështu që, Bordi i FBK-së, ka vendosur që Superkupa e Kosovës të organizohet prej 7 deri më 11 dhjetor, ndërsa është miratuar edhe propozimi që të bëhen ndryshime në kalendarin e garave të Superligës së Kosovës konform kalendarëve të FIBA-s, me të cilat klubet do të njoftohen.