Sport

Peticion për mos-ekstradimin e Ballistit në Serbi

Lirimi i Ismail Morinës, i njohur si Ballisti, tashmë po kërkohet edhe për mes një peticioni online.

Peticioni “Mos ekstradoni Ismail (Ballist) Morinën në Serbi” është bërë nga Parid Turdiu, ndërsa do t’i dorëzohet ambasadës kroate në SHBA, dhe ambasadorit Josip Paro, transmeton Koha.net. Deri më tani këtë peticion e kanë nënshkruar mbi 1700 persona.

Morina po mbahet që një muaj i arrestuar në Kroaci, ndërsa ditë më parë një gjykatë kroate kishte marr vendim që ai të ekstradohet në Serbi, për shkak të një fletarrestim të lëshuar nga shteti serb për dronin që Ballisti e kishte lëshuar në Beograd gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri më 2014.

“Ismail Morina është një burrë i ri që vetëm ka ngritur një dron me flamurin shqiptar. Dy mijë shqiptarë kanë luftuar në luftën e fundit për çlirimin e Kroacisë nga Serbia. Shumë serbë kanë kryer krime të egra kundër kroatëve dhe shqiptarëve. Ata individë, sipas të gjitha gjasave, janë në forcat e sigurisë serbe. (Një ministër i Slobodan Milosheviqit është sot kryetar i Serbisë). Kroacia nuk duhet ta ekstradojë Ismail Morinën në Serbi, ku do të përballet me padrejtësi, mizori, tortura, dhe ndoshta humbje jete”, thuhet në përshkrimin e këtij peticioni.

Këtë peticion kundër ekstradimit të Ballistit në Serbi mund ta mbështetni KËTU.