Sport

Spektakël golash në “El Clasicon” miqësore

Që të gjithë e kishin parashikuar se nuk do të ishte thjesht një miqësore vere dhe ashtu ndodhi.

Barcelona dhe Reali i Madridit dhuruan një tjetër “El Clasico”, këtë herë nga Miami në praninë e 66 mijë tifozëve dhe miliona të tjerëve që ndoqën spektaklin e futbollit spanjoll nga ekrani.

Edhe pse pa Cristiano Ronaldon por me emra të tjerë me peshë si Lionel Messi, Neymar, Gareth Bale e Luka Modriq, “El Clasico” i parë i sezonit dhuroi gola, spektakël dhe kartona.

3-2 trimfuan katalanasit që iu falën magjive të Neymarit, por edhe golin vendimtar të Piques, transmeton Supersport. 7 minuta ferri për Realin e Zidane që e nisi ndeshjen me një gol të pësuar nga i përhershmi Lionel Messi. Argjentinasi ngriti në këmbë stadiumin e Floridas me një realizim që hapi serinë e golave. 3 minuta më pas, Rakitiq shokoi Los Blancos me një tjetër gol që u duk se i mbylli llogaritë e kësaj sfide.

Por katalanasit toleruan shumë terren dhe brenda 45 minutave të para, Reali i Madridi arriti të barazonte. Fillimisht ishte Mateo Kovaçiq ai që riktheu në lojë kampionët e Spanjës. 9 minuta nga fundi i kësaj pjese talenti Asensio e ndali topin në rrjetë duke ndëshkuar katalanasit.

Goli i fitores për katalanasit u shënua nga Pique, 5 minuta nga rikthimi i skuadrave në fushën e lojës, por meritën më të madhe për këtë realizim e ia braziliani Neymar.

Një sukses që nuk i vlen shumë Barcelonës por mbi të gjitha nuk ndikon aspak edhe në momentin e Realit pasi bëhet fjalë thjesht për një miqësore, e cila paraprin dy duelet e Superkupës së Spanjës vetëm pak javë më vonë.