Sport

Vllaznia kërkon të befasojë në Superligë

Vllaznia e Pozheranit kërkon të jetë befasia e sezonit 2017-18 në elitën e futbollit kosovar.

Skuadra nga Anamorava ka bërë 14 transferime, më shumë se secila skuadër e Superligës si dhe ka emëruar trajner Bekim Isufin.

Në drejtimin e Isufit, futbollistët e Vllaznisë, janë duke u përgatitur intensivisht për kampionatin e ri.

Trajneri nga Gjilani thotë se janë duke punuar nga dy herë në ditë në mënyrë që të jenë gati, ani pse e pranon që kanë filluar pak me vonesë, transmeton KTV.

Vllaznia që do të bëjë gara për herë të parë në elitë, ndeshjet si vendas do t’i luajë në Gjilan, pasi stadiumi në Pozheran nuk i plotëson kushtet.

Fatin e Vllaznisë, e kishte edhe Feronikeli që i luante ndeshjet jashtë Drenasit para dy viteve dhe në fund ishte shpallë kampion.

Por, a do ta ketë fatin e “Niklit” edhe Vllaznia, tregon trajneri Isufi.

Si problemin kryesor, Isufi e sheh zhvillimin e ndeshjeve në Gjilan, pasi sipas tij, po të luanin në Pozheran, shikueshmëria do të ishte më e madhe.

Më optimist shprehet portieri Jasir Bajrami, i cili ishte ndër më meritorët që Vllaznia hyri në Superligë.

Ardhjet e reja te skuadra debutuese në elitë, si Erdin Hashani, Maliq Beluli e Fuad Karabeg, besojnë se do të kenë paraqitje të mira dhe do ta mbajnë Vllazninë në Superligë.

Fazën e fundit përgatitore, Vllaznia do ta kryejë në Ohër, ku do t’i luajë edhe disa ndeshje miqësore.

Ndërkaq, ndeshjen e parë në Superligë, do ta zhvillojë më 19 gusht, si mysafire e Feronikelit.