Sport

Derbi shtyhet, Bashkimi e Rahoveci kërkojnë ta shmangin humbjen e tretë rresht

Basketbollistët e Rahovecit do të përpiqen ta shmangin humbjen e tretë rresht në Superligë, në një udhëtim të vështirë në Prizren.

Pas humbjeve nga Vëllaznimi (94:87) e Trepça (87:80), skuadra e Rahovecit përballet me Bashkimin në kuadër të xhiros së katërt të elitës së basketbollit kosovar. Dueli mes Bashkimit dhe Rahovecit luhet në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren të shtunën prej orës 17:00 dhe e hap xhiron e katërt. Pas tri xhirove të luajtura, Rahoveci është i pesti në tabelë me katër pikë, sa i ka edhe Bashkimi që zë vendin e katërt.

Te “vreshtarët” në këtë ndeshje do të debutojë përforcimi më i fundit, amerikani Isaiah Manderson. Lojtari i pozitës qendër në fillim të kësaj jave iu bashkua Rahovecit, ndërsa së fundmi ka luajtur në Qipro me një mesatare prej 18.7 pikëve e 9.2 kërcimeve për ndeshje.

Trajneri i Rahovecit, Muhamed Thaqi, të premten për KOHËN ka thënë se Bashkimi është favorit për shkak se luan në shtëpi. Por Thaqi ka insistuar se ekipi i tij në secilën ndeshje futet për të fituar dhe për ta dhënë maksimumin.

“Është duel i dy ekipeve që pretendojnë mesin e tabelës apo një pozitë për plejof. Bashkimi në këtë rast është favorit duke ditur përparësinë e terrenit vendas, por edhe ne kemi bërë disa ndryshime dhe na duhet edhe pak kohë për të luajtur pak më gjatë së bashku”, ka thënë Thaqi. “Besoj se do të jetë një ndeshje interesante dhe e barabartë. Ne shkojmë të përgatitur dhe si gjithmonë për të fituar. Mirëpo, kush e do më shumë fitoren dhe angazhohet më shumë, besoj se do të fitoj. Nuancat dhe detaje të vogla do ta vendosin fituesin e këtij takimi”.

Edhe Bashkimi i ka humbur dy ndeshjet e fundit. Ka pësuar në derbin lokal nga Ponte Prizreni (101:93) dhe Trepça (75:68). Te Bashkimi kanë insistuar se janë përgatitur gjatë tërë javës dhe janë mobilizuar për duelin me Rahovecin.

“Jemi duke punuar maksimalisht që të përmirësojmë sa më shumë lojën tonë, është fillimi i kampionatit dhe çdo ekip ka probleme të cilat paraqiten në komponim. Sa i përket ndeshjes kundër Rahovecit, jemi duke u përgatitur që të japim më të mirën tonë në fushë, të paraqitemi ashtu si i ka hije klubit Bashkimi dhe t'i bëjmë shikuesit tanë krenarë me klubin e qytetit”, ka thënë basketbollisti i Bashkimit, Altin Morina.

Kjo është ndeshja e vetme e Superligës që zhvillohet të shtunën. Të dielën do të luhen dy ndeshje tjera. Peja, që ka fituar tri ndeshjet e para, do të luajë në Gjakovë kundër skuadrës së Vëllaznimit prej orës 17:00. Ndërsa, nga ora 19:00 takohen Ponte Prizreni me Golden Eagle Yllin. Kampioni në fuqi, Ylli i ka humbur të gjitha ndeshjet deri më tani dhe zë vendin e fundit në tabelë me tri pikë, një më pak se Ponte Prizreni që është i parafundit me një fitore e dy humbje.

Ndërkohë, derbi i kësaj xhiroje që është dashur të luhet në palestrën “Minatori” në Mitrovicë ndërmjet Trepçës dhe Sigal Prishtinës është shtyrë për më vonë. Të dy skuadrat këtë javë zhvilluan ndeshje ndërkombëtare dhe pësuan humbje. Trepça u mposht në çerekfinale të fazës kualifikuese të FIBA Europe Cup nga Goettingeni i Gjermanisë, ndërsa Prishtina pësoi në gjysmëfinale të garës së njëjtë kualifikuese nga Kalevi i Estonisë.