Sport

Purvisi thotë se luan basketboll me pasion të madh dhe se nuk e provokon askënd

Rodney Purvis

Basketbollisti amerikan Rodney Purvis thotë se tifozët e skuadrave kosovare duhet ta kuptojnë pasionin e madh që ai e ka për basketbollin dhe emocionet që i shfaq në secilën ndeshje. Purvis insiston se kurrë nuk bën veprime të qëllimshme në parket ndaj tifozëve dhe se nuk e provokon askënd, aq më pak tifozët kundërshtarë. Ish-lojtari i NBA-së thotë se loja e basketbollit ka të bëjë me kënaqësinë dhe me garën e fortë, qoftë fjala për një fitore apo për trofe.

Purvis është kthyer për të luajtur në Superligën e Kosovës, por me fanellën e skuadrës së Pejës. Në ndeshjen e parë zyrtare me Pejën, atë kundër Sigal Prishtinës, që u luajt të dielën në kryeqytet, Purvis pati një situatë të ngjashme sikurse edicionin e shkuar. Purvis ishte pjesë e Superligës edhe edicionin e kaluar, por si lojtar i Trepçës.

Të dielën, pasi bëri një ngulitje për ta konfirmuar fitoren e Pejës ndaj Prishtinës (76:70), Purvis festoi në drejtim të tribunës ku ishin tifozët e ekipit vendës. Njëri prej shikuesve hyri në parket dhe iu vërsul Purvisit, por pa e prekur atë. Pati edhe tifozë të tjerë që tentuan të hynin në fushë, e po ashtu hedhje të gjësendeve në parket. Ndërkohë, derisa skuadra e Pejës po largohej nga parketi, të tjerë shikues pushtuan fushën e lojës dhe kishte të paktën një tentim sulmi ndaj lojtarëve mysafirë.

Ndeshja u ndërpre kur kishin mbetur vetëm edhe tri të qindtat e sekondës, ndërsa vazhdoi pas rreth 15 minutave, pasi shikuesit u larguan nga salla.

Edhe edicionin e kaluar, përkatësisht gjatë serisë gjysmëfinale të plejofit, Purvis ishte protagonist. Ndeshja në “Karagaçi” ishte ndërprerë kur një tifoz i Pejës kishte hyrë në parket dhe kishte prekur në kokë Purvisin, atëherë lojtar të Trepçës.

Më pas situata u tensionua dhe si rrjedhojë raportet mes dy tifozërive u përkeqësuan. Ndeshja kishte vazhduar pas 40 minutave, pasi tifozët ishin larguar nga palestra.

Tani Purvis luan te Peja dhe pritet të jetë prej lojtarëve kryesorë në Superligë. Të dielën ishte prej më meritorëve për fitoren e Pejës ndaj Prishtinës.

“Unë nuk e provokoj askënd. Kurrë në jetën time nuk kam bërë provokime. Jam një person i respektueshëm dhe mundohem të gjithë t’i trajtoj me respekt të madh. Megjithatë, tifozët duhet të tregojnë respekt më të madh për lojtarët. Basketbolli ka të bëjë me kënaqësinë dhe garimin, pra është një sport atraktiv dhe këtë duhet ta kuptojnë të gjithë”, është shprehur Purvis të hënën për KOHËN. “Pasioni im për lojën e basketbollit nuk do të ndryshojë kurrë. Mirëpo tifozët nuk duhet të hedhin gjësende në parket apo të tentojnë t’i sulmojnë lojtarët. Ky veprim është mosrespektim ndaj lojës së basketbollit dhe shumë joprofesional për ligën dhe gjithashtu nuk tregon respekt ndaj tifozëve të vërtetë, të cilët e respektojnë lojën”, ka shtuar basketbollisti me përvojë.

Purvis ishte më i dalluari në fitoren e Pejës ndaj Prishtinës. Ai shënoi 17 pikë, kurse shtoi gjashtë kërcime e dy asistime për 31 minuta lojë. Me paraqitje të tilla Purvis shpreson të vazhdojë deri në fund të këtij sezoni. Synimi i tij është ta fitojë titullin e kampionit me Pejën, të cilin ekipi i verdhë po e kërkon prej vitit 2013.

Në fakt, Purvis as edicionin e kaluar nuk e fitoi titullin me Trepçën. Iu bashkua ekipit nga Mitrovica pas triumfit në Kupën e Kosovës dhe nuk arriti ta ndihmojë në serinë finale kundër Golden Eagle Yllit, që triumfoi me rezultatin e përgjithshëm 3:1 për ta mbrojtur titullin e kampionit.

“Po, jam kthyer për të luftuar për titullin e kampionit dhe për trofetë tjera. Të gjitha ekipet po luftojnë për trofe dhe unë do të përpiqem ta ndihmoj Pejën me pjesën tjetër të lojtarëve për ta shijuar këtë sukses. Sezoni i kaluar ka përfunduar, ku Yllin e përgëzoj për suksesin, ndërsa fokusi im është në edicionin aktual që sapo ka nisur”, u shpreh Purvis, që shtoi se është shumë me rëndësi që i është bashkuar Pejës prej fillimit të sezonit. “Mendoj se është shumë e rëndësishme pasi nevojitet pak kohë që të rritemi si ekip dhe kur je prej fillimit, atëherë të ndihmon shumë në secilin aspekt. Po e shijoj procesion e familjarizimit me bashkëlojtarët dhe stafin e trajnerëve. Dita-ditës po përmirësohemi dhe kjo është gjë shumë e mirë”.

Ai ka pranuar se është i lumtur me fitoren ndaj Prishtinës, por ka shtuar se Pejën e pret një edicion tejet i vështirë duke pasur parasysh se të gjitha skuadrat janë forcuar dhe kampionati do të jetë më i fortë dhe më interesant sesa edicionin e shkuar.

“Një fitore nuk definon asgjë, pasi është vetëm fillimi i sezonit. Prishtina do të bëhet edhe më e fortë me kalimin e ndeshjeve, sikurse edhe ekipet e tjera. Kështu që do të jetë një garë interesante në përgjithësi. Megjithatë, jam i lumtur që edicionin e ri e kemi nisur me fitore”, shtoi Purvis.

28-vjeçari ishte pjesë e Orlando Magic në vitin 2018. Më pas ka luajtur në Izrael, Itali, Poloni, Ukrainë e Uruguai.