Sport

Nis ndërtimi i palestrës së sporteve në Zhegër, kosto mbi 1 milion euro

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga Ibër Alaj dhe Muharrem Sahiti, kanë vënë sot gurthemelin e ndërtimit të palestrës së sporteve në fshatin Zhegër, që është bashkëfinancim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe komunës së Gjilanit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Në përvjetorin e madh të lindjes dhe vdekjes së Idris Seferit, ne sot po fillojmë punimet e palestrës së sporteve. Uroj që ky projekt të ketë dinamikë të plotë në realizim. Vlera e projektit është 1 milion e 100 mijë euro, që është financim i Qeverisë dhe komunës së Gjilanit. Unë e pranoj me kënaqësi propozimin e Zhegrës që kjo palestër të emërohet me emrin e Shaban e Sami Ukshinit, dy luftëtarët e lirisë së shqiptarëve”, ka thënë Haziri, transmeton Koha.net.

Haziri ka paralajmëruar edhe investime të tjera në infrastrukturën publike në Zhegër.

Ndërkaq Alaj tha se, “kjo palestër e kapacitetit prej 800 ulëseve, i plotëson edhe standardet ndërkombëtare, marrë parasysh që në Superligën e Kosovës në Henboll garon edhe KH Zhegra”.