Sport

Morina mendon se Ferizaj mori një pikë të merituar

Trajneri i Ferizajt, Arbnor Morina, mendon se një pikë e fituar ndaj një kundërshtari si Drita, është për çdo lëvdatë.

Morina e ka quajtur Dritën superfuqi. Sipas tij, në pjesën e dytë Ferizaj ka treguar ndeshje të mirë.

“Ndeshja ka qenë ashtu siç e kam paraparë. Një Dritë që është superfuqi në futbollin e Kosovës, që ka shumë lojtarë cilësorë. Është shndërruar në klub stabil falë dy kryetarëve që ka. Është kënaqësi të luash ndaj Dritës. Ka disa momente që vjen nervozizmi. Një Dritë që ka poseduar topin, ka pasur aksione mirë të ndërtuara. Një Dritë që në pjesën e dytë e morëm përpara. E kemi shënuar golin. E shënuam edhe golin e dytë që VAR-i paska tregu që është pozitë jashtë loje. Çdo rezultat që nuk është humbje ndaj një ekipi të konsoliduar është për lëvdatë. Djemtë po e djersitin fanellën me nder”, tha Morina.

Ferizaj dhe Drita luajtën baras 1:1.

Trajneri Morina u ndëshkua me karton të kuq në fund të ndeshjes pas protestave të shumta për një gol të anuluar për pozitë jashtë loje.