Sport

Dy reprezentues të Kosovës mund ta lënë Holandën për Serie A

Descriptive Text

Skuadra, ndër më të përforcuarat në Evropë, Milani, ka shprehur interesim edhe për sulmuesin e krahut të përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica, kanë bërë të ditur të martën mediumet italiane.

Rashica 21-vjeçar është pjesë e klubit holandez, Vitesse tash e dy vjet.

"Interesimi është i madh nga Milani për futbollistin e talentuar të Vitesses, Milot Rashica. Pas Napolit dhe Udineses edhe Milani i është vënë pas futbollistit premtues me origjinë nga Kosova, i cili ka një të ardhme të sigurt. Do t'i përshtatej edhe projektit që ka nisur Milani duke transferuar shumë lojtarë të rinj. Nuk kanë nisur ende bisedimet, por mund të ndodhin shpejt, pasi bëhet fjalë për një lojtar mjaft të talentuar", shkruan "tutomercatoweb.com.

Për ish-futbollistin e skuadrës së Vushtrrisë, skuadra holandeze kërkon rreth tetë milionë euro.

Te skuadra e Vitesses u transferua në verën e vitit 2015 nga Vushtrria, që aktualisht është pjesë e Ligës së Parë të Kosovës, përcjell Koha Ditore.

Reprezentuesi kosovar që në edicionin e parë në Holandë arriti të tregojë vlerat e tij, në 31 paraqitje shënoi tetë gola dhe kontribuoi me pesë asistime, kurse në edicionin e shkuar në 33 ndeshje në elitën e futbollit të Holandës shënoi dy gola dhe asistoi 12 herë. Dy gola dhe dy asistime pati edhe në kuadër të Kupës së Holandës, garë të cilën e fitoi me Vitessen.

Sulmuesi i krahut në fund të muajit të shkuar vazhdoi kontratën deri në vitin 2020.

Ai është pjesë e përfaqësueses së Kosovës, me të cilën ka luajtur në gjashtë ndeshjet kualifikuese për botërorin "Rusia 2018".

Ndërkohë të martën, mediat italiane kanë raportuar për interesimin e Genoas për reprezentuesin tjetër të Kosovës, Arbër Zeneli.

"Jo vetëm Napoli e Udinese kanë shprehur interesim për Arbër Zenelin. Së fundi edhe Genoa. Do t'i përshtatej filozofisë së Genoas. Zeneli është lojtar i shpejtë dhe teknik. Megjithatë, Genoa duhet ta fitojë garën me Napolin që ka kohë që ka shprehur dëshirën për ta transferuar", shkruan "tuttomercatoweb.com".

Zeneli është pjesë e skuadrës tjetër holandeze, Heerenveen. Me ekipin elitar të Holandës ka kontratë deri në verën e vitit 2019.