Sport

Kosova mposhtet edhe nga Rumania

Futbollistet e Kosovës në futboll janë mposhtur edhe në ndeshjen e dytë të turneut “Antalya Cup”.

Në ndeshjen e parë Përfaqësuesja e Kosovës kishte pësuar 5 me 0 nga Polonia, kurse sot është mposhtur nga Rumania me rezultat 3 me 0, bën të ditur FFK përmes një komunikate për media, transmeton Koha.net.

“Ndonëse humbën edhe në sfidën e dytë në Antalya Cup në ballafaqim me Përfaqësuesen e Rumanisë me rezultat 3:0, futbollistet e Kosovës, treguan karakter dhe cilësi më shumë. Nëse rumunet ishin më të mira në pjesën e parë, gjë që shënuan edhe tri gola, pjesa e dytë u takoi vashave të Përfaqësueses së Kosovës, të cilat koordinuan më mirë aksionet, patën më shumë nga loja dhe krijuan disa raste për shënim, ndonëse nuk u kurorëzuan me gol. Por, kjo flet se Përfaqësuesja e Kosovës dukshëm po përmirësohet dhe po krijohet një ekip që në të ardhmen premton shumë, por që nevojitet më shumë kujdes e angazhim rreth saj”, thuhet në komunikatë.

Afërditë Fazlija, përzgjedhëse e Kosovës ka thënë se kishte përmirësime për dallim nga ndeshja e parë, por sipas saj përgatitja fizike dhe përvoja bën diferencën në këtë përballje.

“Krahasuar në ndeshjen e parë shihet se kemi përmirësime. Kemi pasur më shumë pasime kemi pasur raste shënimi. Vajzat në këtë ndeshje kishin hyrë me një vetëbesim më të madh se sa në ndeshjen e parë. Çështja e përgatitje fizike dhe përvoja janë që e bënë diferencën. Jam e kënaqur me lojën e treguar dhe me angazhimin, ndonëse me rezultat nuk jemi të kënaqur por këto janë mundësitë reale të tanishme”, ka thënë ajo.

Kurse futbollistja Blerinë Musa është shprehur pas takimit se, “loja ishte mirë, besojë se edhe ne kemi pasur rastet tona. Pse fitua ne rumunet ishte pse kishin përvojë . Ne pjesën e dytë krijuam raste por që nuk i konkretizuam. Ekipi po përmirësohet që na jep shpresë për të ardhmen”.

Blerta Shala, futbolliste, beson se ekipi do të vazhdojë të përmirësohet.

“Ndeshja ishte vështirë, përvoja vendosi, por gjithsesi edhe ne u angazhuam mjaft. Në pjesën e dytë ishim më të mira dhe kemi mundur edhe të shënojmë, por nuk ia arritëm. Besojë që në vazhdim të përmirësohemi”, është shprehur Shala.