Sport

Drita është optimiste se mund ta eliminojë Antwerpin

Te skuadra e Dritës ka optimizëm se mund ta eliminojnë një ekip të madh si Antwerpi në garat evropiane. Kështu, kanë insistuar trajneri Ardian Nuhiu dhe sulmuesi i krahut, Arbnor Muja. Nuhiu dhe Muja u paraqitën përkrah njëri-tjetrit në konferencën për shtyp të mbajtur të mërkurën mbrëma, një ditë para ndeshjes së kthimit ndaj Antwerpit në kuadër të rundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Dueli mes këtyre dy skuadrave zhvillohet të enjten prej orës 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Gjithçka është e hapur në ndeshjen e kthimit, pasi përballja e parë që u luajt javën e shkuar në Belgjikë është mbyllur pa gola. Trajneri i Dritës, Nuhiu, ka thënë se futbollistët e tij janë maksimalisht të motivuar për ndeshjen e kthimit, në të cilin synojnë fitore. Vetëm me fitore, Drita do të mund të avancojë në rundin e tretë kualifikues të kësaj gare, që është niveli i tretë i UEFA-s. Ai ka shtuar se i kanë analizuar mirë dy ndeshje të Antwerpit, përfshirë edhe atë ndaj Mechelit, në kampionat që e fitojë me rezultatin 2:0. Nuhiu ka pranuar se Drita ka një mundësi të mirë për të avancuar tutje dhe pret që ekipi i tij të bëjë edhe një paraqitje të mirë sikurse në përballjen e parë. Megjithatë, ai ka pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë.

“Skuadra jonë është mirë, futbollistët janë maksimalisht të fokusuar dhe kanë motiv të veçantë përpara ndeshjes së kthimit me Antwerpin. Realisht është një mundësi shumë e mirë për të kaluar tutje, sidomos pas rezultatit në ndeshjen e parë. Kundërshtari nuk është aspak i lehtë, pasi bëhet fjalë për një ekip agresiv që bën presion të lartë dhe ka lojtarë cilësorë në përbërje. Sigurisht se do të jetë e vështirë”, është shprehur Nuhiu. “Mirëpo, për të gjitha këto, jemi të përgatitur dhe besoj edhe në një paraqitje tjetër të mirë të ekipit. Uroj të bëjmë një ndeshje të madhe, pasi kemi besim të plotë në vete, dhe të vazhdojmë garat në arenën ndërkombëtare”.

Po ashtu, Nuhiu ka thënë se edhe përkrahja e publikut do të jetë një ndihmë shtesë për ekipin e tij. Tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri” pritet të jenë të stërmbushura, pasi klubi ka njoftuar se një pjesë e konsiderueshme e biletave janë shitur të mërkurën kur edhe dolën në shitje. Sipas Nuhiut, kalimi i Dritës në rundin tjetër do të ishte një arritje e madhe për futbollin e Kosovës.

“Presim mbështetje masive për këtë ndeshje, jo vetëm nga tifozët tanë, por nga e gjithë Kosova dhe synimi është që ta bëjmë krenar të gjithë Kosovën. Nëse kalojmë tutje, do të ishte një arritje shumë e madhe jo vetëm për klubin tonë, por për të gjithë futbollin e Kosovës. Besoj se do të japim më të mirën për të kaluar tutje”, është shprehur Nuhiu.

Edhe sulmuesi Muja ka thënë se beson që Drita mund t’ia dalë mbanë dhe ta eliminojë Antwerpin. Muja ka thënë se triumfi ndaj kundërshtarit nga Belgjika nuk do të jetë aspak i lehtë, por ka insistuar se të gjithë janë maksimalisht të motivuar për ta dhënë më të mirën nga vetja në këtë takim, që e ka vlerësuar si tejet të rëndësishëm.

“Të gjithë jemi maksimalisht të motivuar për këtë ndeshje. Padyshim se do të jetë shumë vështirë sepse bëhet fjalë për një kundërshtar të fortë. Mirëpo, shpresoj se do ta kalojmë edhe këtë pengesë për të avancuar tutje. Është shumë e rëndësishme që të kemi përkrahje të madhe nga tribunat dhe besoj se së bashku mund t’ia dalim mbanë. Krahas përkrahjes, përparësi e jona do të jetë edhe shpejtësia, të cilën do të mundohemi ta shfrytëzojmë për ta ndëshkuar kundërshtarin”, ka thënë Muja.

Skuadra që avancon tutje, në rundin e tretë, do të përballet me fituesin e ndeshjes ndërmjet ekipit nga Finlanda, SJK dhe Lillestromit të Norvegjisë. Duelin e parë e ka fituar Lillestromi me rezultatin 1:0.

Drita po merr pjesë në Ligën e Konferencës për herë të dytë. Në garat evropiane në përgjithësi është sezoni i katërt në pesë vjetët e fundit për Dritën. Garat në Ligën e Konferencës këtë verë Drita i ka nisur nga rundi i parë, ku eliminoi Inter Turkun. Humbi 1:0 në Turku, por ia doli që të rikthehet fuqishëm, duke e mposhtur ekipin nga Finlanda 3:0 për të siguruar rrethin e dytë. Vitin e kaluar ishte ndalur në rrethin e dytë, fazë ku është edhe aktualisht duke u paraqitur. Edhe në verën e vitit 2021 “Intelektualët” patën kundërshtarë të nivelit të lartë. U përballën me Feyenoordin. Barazuan në Prishtinë 0:0, por humbën në duelin e kthimit 3:2 për t’u eliminuar. Suksesin më të madh në Evropë e ka arritur në Ligën e Evropës në sezonin 2020/2021. Kishte shkuar deri në rrethin e tretë të kësaj gare. Ishte eliminuar nga Legia e Varshavës 2:0.