Sport

Te Brentfordi, të lumtur që i siguruan shërbimet e Strakoshës

Portieri i Shqipërisë, Thomas Strakosha, më në fund ka vendosur për skuadrën e re. Ai të enjten firmosi me skuadrën e Premier Leagues së Anglisë, Brentford. Strakosha ka firmosur për tre vjet, me mundësi të vazhdimit edhe për një vit tjetër.

Te Brentfordi janë shprehur të lumtur që kanë siguruar shërbimet e portierit shqiptar. Strakosha për një dekadë ishte te Lazio, ndërsa i ka mbi 150 paraqitje në Serie A. Pasi i përfundoi kontrata me Lazion, Strakosha vendosi për hap tjetër në karrierë. Ishte i vendosur për të luajtur në Premier League, ndërsa ofertat nuk i munguan. Ndër të tjera interesim shfaqi edhe Manchester Unitedi. Por reprezentuesi i Shqipërisë vendosi për Brentfordin.

“Jam i kënaqur që ia dolëm të firmosim me një top-portier. Ai ishte numër një te Lazio për kohë të gjatë, që është shumë impresive. Ai ka luajtur në Serie A dhe në gara evropiane dhe do të sjellë atë përvojë me vete. Ai i përshtatet modelit të portierit që kërkojmë ne”, ka thënë trajneri i Brentfordit, Thomas Frank.

Kjo skuadër i ka edhe dy portierë të tjerë, ndërsa Frank pret që Strakosha dhe portierët e tjerë ta shtyjnë njëri-tjetrin para çdo ditë.

“Jam shumë i lumtur që Thomasi u bashkua me ne. Me të në grupin e portierëve ne do të kemi një garë të mirë që do të mundësojë hap tutje për të gjithë. Thomasi është portier me përvojë që ka luajtur shumë në Serie A dhe për Shqipërinë. Ai përshtatet në mënyrë të përkryer me llojin e portierit që e duam ne. Ai mund të na japë shumë zgjidhje në lojën nga prapa. Ndal goditjet në mënyrë të jashtëzakonshme dhe është shumë i mirë në pozicionim. Kur kemi folur me të, ai ka shfaqur dëshirën që të vijë dhe të punojë fort që ta bëjë veten dhe portierët e tjerë tanë më të mirë”, ka theksuar trajneri i portierëve të Brentfordit, Manu Sotelo.

Thomas Strakosha ka lindur në Greqi. Babai i tij, Foto Strakosha, ishte portier legjendar i Shqipërisë dhe ka luajtur gjatë në Greqi. Thomasi nisi te Panioniosi, ndërsa ka kaluar te Lazio në vitin 2012 kur ishte 17-vjeçar. Nisi me U19, ndërsa luajti huazim te Salernitana. Debutoi në nivelin profesional në Serie B, te Salernitana, në edicionin 2015/16.

Pas kthimit te Lazio në vitin 2016, ai kryesisht ishte portier i parë i skuadrës nga Roma. Ka ndihmuar Lazion të fitojë Kupën dhe Superkupën e Italisë në vitin 2019. Te Shqipëria ka debutuar në vitin 2017 dhe i ka 19 ndeshje deri më tani.

Te Lazio i kishte 208 ndeshje, ndërsa në 62 prej tyre nuk ka pranuar gol.

Brentfordi edicionin e kaluar ishte i 13-i në Premier League.