Sport

“Dardanët” me telashe të shumta synojnë më të mirën ndaj Danimarkës

Përzgjedhësi i Kosovës në basketboll te meshkujt, Christos Marmarinos, ka pranuar telashet e mëdha që i ka në ekip para duelit me Përfaqësuesen e Danimarkës. Kosova është stërvitur në Naestved të mërkurën, ndërsa të enjten përballet me Danimarkën në kuadër të fazës së parë parakualifikuese për “Eurobasket 2025”. Kjo ndeshje nis në orën 19:00 dhe i takon Grupit C. E në stërvitjen e fundit, Marmarinos kishte në dispozicion vetëm dhjetë basketbollistë, pasi Meriton Ismaili nuk u stërvit fare dhe ka gjasa të mos jetë në gjendje ta ndihmojë Kosovën ndaj Danimarkës.

Për shkak të lëndimeve, me Kosovën nuk kanë udhëtuar as fundorët Valon Bunjaku e Mikaile Tmushiq. Ndërkohë, me lëndim po përballet edhe Gëzim Morina, i cili ka stërvitur. Erjon Kastrati nuk është grumbulluar fare shkaku i një shqetësimi fizik. Kështu, Kosova do të ketë mungesa të rëndësishme për ndeshjen e fundit të rundit të parë të parakualifikimeve për Eurobasketin e vitit 2025.Kosova të martën në Danimarkë është nisur me 11 basketbollistë, ndërsa Marmarinos për këtë ndeshje nuk ka ftuar fare amerikanët e natyralizuar.

Për shkak të mungesave të mëdha si pasojë e lëndimeve, Marmarinos shpreson në një paraqitje të mirë të Kosovës kundër Danimarkës, ndonëse ka pranuar se do të jetë shumë vështirë.

“Kemi shumë probleme, por pres të luftojmë deri në fund kundër Danimarkës. Në stërvitjen e fundit, mezi i patëm dhjetë lojtarë, kurse prej tyre vetëm nëntë janë të shëndoshë. Po ashtu, kemi edhe disa lojtarë të rinj që sapo kanë filluar të luajnë me përfaqësuesen dhe do të jetë vështirë. Megjithatë, do të japim maksimumin dhe shpresoj të tregojmë një paraqitje të mirë”, është shprehur të mërkurën Marmarinos për KOHËN.

Kosova nuk ka shumë gjasa që nëpërmjet pozitës së dytë në grup të avancojë në fazën e dytë të këtyre parakualifikimeve. Në kuadër të Grupit C, Kosova ka humbur dy ndeshjet me Norvegjinë, ndërsa e ka mposhtur Danimarkën në shtëpi me shifrat 78:73 . Danimarka i ka edhe dy ndeshje deri në fund të fazës së parë dhe llogaritet favorite për vendin e parë në grup, të cilin e mban Norvegjia, me dy fitore e një humbje në tri ndeshje të luajtura.

Kosova ka një fitore e dy humbje, ndërsa Danimarka ka një fitore e një humbje. Fitoren e ka ndaj Norvegjisë, me të cilën përballet në ndeshjen e fundit, që luhet më 3 korrik.

“Basketbollistët e Kosovës të mërkurën kanë zhvilluar stërvitjen e parë në Danimarkë. Më herët janë stërvitur intensivisht në Prishtinë, për të qenë sa më të gatshëm për këtë sfidë shumë të rëndësishme.

Në stërvitje basketbollistët kanë dhënë maksimumin, ndërsa i vetmi i cili nuk ka stërvitur ishte Meriton Ismaili, për shkak të lëndimit, por që shpresohet se do të jetë i gatshëm për ndeshje”, ka shkruar Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK).

Kundër Danimarkës, te Kosova do të debutojnë dy basketbollistë. Bëhet fjalë për fundorin Amin Hot, që ka marrë nënshtetësinë e Kosovës dhe Ardit Pepajn, i cili ka luajtur për gjeneratat e reja. Hot sezonin e fundit ishte ndër lojtarët më të dalluar te Trepça, ndërsa Pepaj ishte pjesë e Golden Eagle Yllit. FBK-ja ka njoftuar se të dy janë të gatshëm për të debutuar me fanellën e Kosovës. E këtë e ka konfirmuar edhe Hot.

“Sigurisht, synimi është të fitojmë, por nuk do të jetë lehtë. E rëndësishme është që të tregojmë lojë të mirë, të angazhohemi, duke mos u dorëzuar për asnjë moment”, tha ai.

Kosova më 17 qershor ka nisur përgatitjet për ndeshjen ndaj Danimarkës dhe përzgjedhësi Marmarinos kishte ftuar 14 basketbollistë në listë, e cila dy ditë para duelit ishte reduktuar në 11 lojtarë.