Sport

Karateistët udhëtuan për medalje, kthehen me një fitore e shumë disfata

Descriptive Text

Synimet ishin të mëdha, edhe fillimi ishte pozitiv. Por jo edhe bilanci përfundimtar.

Ekipi i Kosovës në karate nuk ka arritur të realizojë pritshmëritë në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Oran të Algjerisë. Karateistët kosovarë garuan të dielën e të hënën, në dy ditët e para të garave. Dhe nuk kanë zënë ndonjë vend në podium.

Kur Albulena Gërvalla nisi garimin, të dielën paradite, situata dukej krejtësisht ndryshe. Ajo në çerekfinale të kategorisë deri 55 kilogramë e mposhti Assma Charifin e Francës me rezultatin 3:0. Me fazën çerekfinale nisi gara në këtë kategori, që është dëshmi se nuk kishte shumë karateiste në konkurrencë. Gërvalla arriti në gjysmëfinale, por, megjithatë, mbeti pa medalje. Në gjysmëfinale pësoi 7:0 nga Louiza Abouriche, ndërsa e humbi edhe duelin për medalje të bronztë. Ishte italiania Veronica Brunori që fitoi 2:1 ndaj Albulenës. Kështu Albulena Gërvalla u rendit e pesta.

Pritjet edhe më të mëdha ishin prej Elhami Shabanit, që pak javë më parë fitoi medalje të bronztë evropiane. Por Elhamiu u ndal në luftën e parë në kategorinë deri 75 kilogramë. E mposhti italiani Luigi Busa, kampioni olimpik. Edhe Busa nuk shkoi larg, dhe kështu Shabani nuk e kishte rastin përmes repesazhit.

“Shorti ka qenë më i keqi i mundshëm që ekziston. Në një anë kanë qenë kampioni olimpik, nënkampioni botëror, kampioni evropian dhe unë si i treti i Evropës. Të gjithë në një anë. Konkurrenca ka qenë shumë e fortë, gara ishte shumë e mirë, lufta shkoi super, por në fund kundërshtari shkoi tutje me fitore 1:0”, ka thënë Shabani për KOHËN.

Në nismë u ndal edhe Adelina Rama. Ajo pësoi 2:0 nga qipriotja Anthi Stylianou në kategorinë deri 61 kilogramë.

Kishte shpresë për më shumë sukses të hënën, kur garën e kishin edhe dy karateistë. Më shumë pritej nga Fortesa Orana, që për kohë të gjatë llogaritet top-karateiste e Kosovës. Por Orana qëndroi shkurt në arenë. Në meçin e parë në kategorinë mbi 68 kilogramë humbi nga garuesja e Tunizisë, Chehinez Jemi. 6:3 ishte rezultati i kësaj lufte.

Më i riu, Melos Gashi, u paraqit i fundit. Në kategorinë deri 84 kilogramë, Gashi humbi 3:0 nga francezi Dany Makamata.

Një fitore e gjashtë humbje është bilanci i karateistëve në Lojërat Mesdhetare. Jo bilanc i kënaqshëm për ekipin që udhëtoi me synime të mëdha për medalje.