Sport

Një fitore e një eliminim për boksierët në Algjeri

Shpejtim Bajoku nuk i është gëzuar shumë fitores së arritur të dielën në Lojërat Mesdhetare, që po mbahen në Oran të Algjerisë. Ai pranon se është bërë vetëm një hap i vogël në rrugën për të fituar medalje.

Bajoku garon në kategorinë deri 63 kilogramë dhe ishte bindshëm më i mirë se boksieri nga Tunizia, Abdesalem Sassi. Atë e kaloi në rundin e parë. Në tri runde Bajoku dominoi për ta fituar luftën e parë në ngjarjen shumësportëshe.

Boksieri i klubit Gollaku është i kënaqur me paraqitjen e tij në ring.

“Jam shumë i kënaqur me paraqitjen në ring. Dhashë gjithçka që kam mësuar me vite e sidomos në vitet e fundit. Isha në nivelin e detyrës, ashtu siç kërkohet nga një sportist. Jam i lumtur që arrita ta nisi mbarë garën, por kam ende punë për të bërë. Kam ende sfida para vetes, të cilat më duhet t’i kaloj”, ka thënë Bajoku për KOHËN.

Boksieri më i mirë i vitit 2021 në Kosovë insiston se është maksimalisht i përgatitur dhe i gatshëm për sukses në këtë ngjarje.

“Jam mirë i përgatitur edhe pse fazën përgatitore e kemi zhvilluar në Prishtinë. E kam thënë edhe më herët që synimi im është medalja e artë në Lojërat Mesdhetare. E kam nisur mbarë dhe shpresoj ta vazhdoj kështu deri në fund”, ka theksuar Bajoku.

Bajoku nuk ka fituar ndonjë medalje të madhe, ndonëse gjatë vlerësohet shpresë e boksit të Kosovës. Ai beson se ka ardhur koha për një sukses madhor ndërkombëtar.

Në çerekfinale të Lojërave Mesdhetare, Bajoku për kundërshtar do ta ketë boksierin nga Egjipti, Essam Amen.

Edhe trajneri Besim Brahimi i është gëzuar suksesit të Bajokut. Por, edhe Brahimi pranon se është vetëm hapi i parë.

“Shpejtimi ka pasur një meç të mirë. Ai dominoi gjatë gjithë kohës në ring, ndërsa u vërejt edhe një përgatitje e mirë e tij. Pres edhe në luftën e radhës një paraqitje të madhe nga Shpejtimi. Ai është shpresë e madhe e jona për medalje, por presim hap pas hapi luftërat e tij. Besoj që do ta dominoj edhe luftën tjetër. Mendoj se ka mundësi për të shkuar deri në zonën e medaljeve”, ka thënë Brahimi.

Të dielën në ring u ngjit edhe Patriot Behrami. Ai e dorëzoi meçin në rundin e tretë. Tutje në kategorinë deri 69 kilogramë shkoi boksieri nga Maroku, Hamza El Barbari.

“Luftën e Patriotit e ndërpreva unë. I thash gjyqtarit, pasi Patriotit iu shfaq një lëndim i vjetër në dorën e djathtë”, ka thënë Brahimi.

Patriot Behrami humbi dy rundet e para përballë marokenit.

Të hënën në ring ngjitet Lorent Murati. Ai do të garojë në kategorinë deri 57 kilogramë. Përballë do ta ketë boksierin nga Siria, Belal Joukhdar. Të enjten në program është paraqitja e Bashkim Bajokut, vëllait të Shpejtimit. Bashkimi përballë do ta ketë boksierin nga Turqia, Samet Gumus.

“Pres paraqitje të mirë edhe nga Lorenti e po ashtu nga Bashkimi”, ka thënë trajneri Besim Brahimi.

Për shkak të një lëndimi nga lista e pjesëmarrësve, pak para nisjes për në Oran u largua fituesja e medaljes së bronztë në Botëror, Donjeta Sadiku.