Sport

FIFA vazhdon edhe për sezonin e ri “rregullin e kontratës” për klubet ukrainase

Duke kërkuar të mbrojë klubet e futbollit të Ukrainës gjatë pushtimit ushtarak rus, FIFA të martën zgjati rregullat e kontratës emergjente për lojtarët dhe trajnerët e huaj deri në sezonin e ardhshëm. Lëvizja e FIFA-s synon të japë qartësi dhe siguri për klubet me një pjesë të stafit që ka të ngjarë të largohet me marrëveshje huazimi, ndërsa drejtimi i luftës mbetet gjithnjë e më shumë i paqartë.

Rregullat e përkohshme të aplikuara për herë të parë nga FIFA në muajin mars lejuan punonjësit e futbollit nga jashtë të heqin dorë nga kontratat e tyre në Ukrainë dhe Rusi për pjesën tjetër të sezonit që sapo përfundoi. Klubet ukrainase kishin ndaluar së luajturi gjatë luftës, ndërsa në Rusi disa trajnerë dhe lojtarë refuzuan të vazhdonin punën me klubet atje.

Me fillimin e periudhës së transferimeve të verës në Evropë, klubi kryesor i Ukrainës, Shakhtar Donetsku, paralajmëroi këtë muaj se disa agjentë po përpiqeshin “t’ia merrnin lojtarët tanë falas” dhe të shfrytëzonin pasigurinë e krijuar.

FIFA tha se klubet ukrainase dhe ruse kanë kohë deri më 30 qershor për të arritur marrëveshje me lojtarët dhe trajnerët e huaj, të cilët më pas do të “kishin të drejtën të pezullojnë kontratat e tyre të punës” për një vit.

“Byroja e Këshillit të FIFA-s ka vendosur të zgjasë rregullat e punësimit të përkohshëm të përcaktuara në Rregulloren për Statusin dhe Transferimin e Lojtarëve (RSTP) me qëllim që të ndihmojë në mënyrë efektive lojtarët, klubet dhe trajnerët e ndikuar nga lufta në Ukrainë. Vendimi vjen pas ndryshimeve të RSTP-së të miratuara nga Byroja e Këshillit më 7 dhe 16 mars 2022, të cilat ofruan siguri urgjente ligjore dhe qartësi për një sërë çështjesh të rëndësishme”, thuhet në deklaratën e FIFA-s. “Këto dispozita u japin lojtarëve dhe trajnerëve mundësinë për të stërvitur, luajtur dhe për të marrë një rrogë, ndërsa mbrojnë klubet ukrainase dhe lehtësojnë largimin e lojtarëve dhe trajnerëve të huaj nga Rusia”, tha FIFA nëpërmjet një deklarate.

Premier League e Ukrainës synon të fillojë një sezon të ri në muajin gusht, dhe Dynamo Kyivi do të fillojë garat në raundet kualifikuese të Ligës së Kampionëve më 19 ose 20 korrik. Dynamo është tërhequr në short për t'u përballur me ekipin nga Turqia, Fenerbahçe. Shakhtari është kualifikuar automatikisht në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve për sezonin 2022/23, e cila nis në muajin shtator.

Drejtori sportiv i Shakhtarit, Darijo Srna tha këtë muaj se formacioni i ekipit ukrainas do të përbëhet kryesisht nga lojtarët e rinj ukrainas. Klubi zakonisht ka pasur një bërthamë lojtarësh brazilianë në 15 vjetët e fundit. FIFA ndryshoi gjithashtu rregullat e saj për mbrojtjen e lojtarëve të rinj nga trafikimi ndërkombëtar dhe do të lejojë “të miturit që ikin nga Ukraina në vende të tjera me prindërit e tyre” për të nënshkruar kontratë me një klub në një vend tjetër përpara ditëlindjes së tyre të 18-të. Po ashtu, FIFA edhe një herë e konfirmoi mbështetjen e saj për Ukrainën duke i kërkuar Rusisë që ta ndërpresë luftën.

“FIFA gjithashtu vazhdon të dënojë përdorimin e vazhdueshëm të forcës nga Rusia në Ukrainë dhe bën thirrje për një ndërprerje të shpejtë të luftës dhe një kthim në paqe”, përfundon njoftimi i FIFA-s.