Sport

Përzgjedhësi Tite insiston se ka ardhur koha që Brazili ta fitojë Botërorin

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Brazilit, Tite, ka zbuluar haptazi synimet e tij për Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Tite ka deklaruar se “është koha që Brazili ta fitojë titullin”, pasi synon suksesin në Katari. Botërori i këtij viti nis në fund të muajit nëntor, ndërsa Brazili është pjesë e Grupit G, së bashku me Zvicrën, Kamerunin e Serbinë. Herën e fundit, Brazili që ka pesë tituj bote, ka triumfuar në këtë turne në vitin 2002. E sipas përzgjedhësit Tite, pritej së gjatë i ka ardhur fundi.

“Kam synime të mëdha, por jam i përqendruar. Pasi jemi kualifikuar në Kupën e Botës, tani është koha për të arritur në finale të këtij turneu dhe për t’u shpallur kampion. Kjo është e vërteta sa u përket synimeve të Brazilit për Botërorin e Katarit”, ka thënë Tite në një intervistë për “The Guardian”. “Pritshmëritë janë të larta dhe jam optimist i madh se do ta kthejmë trofeun e çmuar në Brazil pas një pritjeje të gjatë”.

Tite ka pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë dhe ka thënë se presioni është i madh për shkak të tifozëve brazilianë, të cilët po e ëndërrojnë suksesin në Botëror. Sipas tij, Brazili mbetet favorit absolut për triumf në Katar, por Tite ka thënë se duhet pasur kujdes nga Franca, Argjentina, Anglia, Belgjika, Spanja e Gjermania. Franca është kampione në fuqi e botës, ndërsa Argjentina e ka mposhtur Brazilin 1:0 në finalen e fundit të Copa Americas.

“Problemin më të madh e kemi presionin. Kemi përgjegjësi dhe të gjithë në Brazil presin shumë prej nesh. Kështu që, duhet ta përballojmë këtë presion. Besoj se do ta kalojmë edhe këtë pengesë, pasi rëndësi të veçantë do t’i kushtojmë përgatitjes mentale. Do të jemi gati deri në nëntor në çdo aspekt”, është shprehur Tite. “Ka edhe kandidatë të tjerë dhe këtë e kemi parasysh shumë mirë”.

Tite ka insistuar se Brazili do ta fitojë titullin e botës, pasi në radhët e veta ka futbollistin më të mirë. Ai ka zbuluar se të gjitha shpresat e Brazilit do të mbështeten te sulmuesi i Paris Saint-Germainit, Neymari. Sipas përzgjedhësit Tite, Neymari do të jetë lojtari kryesor dhe ylli i Botërorit “Katari 2022”.

“Neymari mbetet ylli më i madh i ekipit tonë. Ai mund ta bëjë dallimin, sidomos në Katari pasi do të shkëlqejë përkrah lojtarëve tjerë, që po ashtu mund të shpërthejnë dhe t’ia sigurojnë titullin Brazilit. Neymari këtë e ka parasysh dhe po i motivon lojtarët e tjerë, si një lider i vërtetë”, ka thënë Tite. “Është e natyrshme që kur e ke Neymarin në ekip, pritjet janë gjithmonë në mëdha. Krahas Neymarit, në Katar do të na ndihmojnë shumë edhe Viniciusi e Raphinha, pastaj Paqeueta, Casemiro e Fabinho. Kemi një ekip të kompletuar në secilin repart, i cili është i gatshëm ta dëshmojë vlerën e tij”.

Brazili është treguar superior në kualifikimet e Amerikës së Jugut për Botërorin “Katari 2022”. Ka përfunduar i pari në grup pa asnjë humbje në 17 ndeshje të zhvilluara, duke regjistruar 14 fitore e tri barazime.

“Është shumë e vështirë në kualifikimet e Amerikës së Jugut. Ne shënuam 13 gola më shumë se Argjentina në 17 ndeshje. Ne jemi kthyer në vendin e parë në renditjen e FIFA-s. Nëse i shohim këto statistika mund të konstatojmë se jemi zhvilluar edhe më shumë në krahasim me vitet e fundit”, ka thënë Tite.

Ndeshjen e parë në Botërorin “Katari 2022”, Brazil e luan më 24 nëntor kundër Serbisë, përpara se të përballet me Zvicrën (28 nëntor) dhe Kamerunin (2 dhjetor). Ky turne nis më 21 nëntor dhe përfundon më 18 dhjetor me ndeshjen finale që zhvillohet në “Lusail Stadium” me një kapacitet prej 80.000 ulëseve.