Sport

Pas Mkhitaryanit, Interi paralajmëron transferimin e Lukakut e Dybalas

Descriptive Text

Mesfushori Henrikh Mkhitaryan do të prezantohet te skuadra e Interit gjatë kësaj jave, ndërsa së shpejti ekipit italian pritet t’i bashkohen edhe Romelu Lukaku e Paulo Dybala. Kështu, ka deklaruar drejtori i përgjithshëm i Interit, Beppe Marotta të hënën, ka raportuar “Sky Sports”.

Marotta ka thënë se Mkhitaryan tashmë mund të konsiderohet lojtar i Interit, ndërsa sa i përket Lukakut e Dybalas, ai shtoi se janë në bisedime për finalizimin e disa çështjeve financiare. “Mund të konfirmoj se Lukaku e Dybala janë synimet tona, por ende nuk i kemi mbyllur marrëveshjet. Jemi në bisedime dhe do të ishim të lumtur nëse arrijmë t’i transferojmë”, ka thënë Marotta.

“Mkhitaryan do të zyrtarizohet gjatë ditëve në vijim, ndërsa po synojmë edhe përforcime tjera për sezonin e ri”.

Dybala te Interi mund të transferohet si lojtar i lirë, pasi i skadon kontrata me Juventusin në fund të këtij muaji. Ndërsa, sa i përket Lukakut, ai pritet të huazohet për një vit nga Chelsea.