Sport

Skuadrat kosovare të martën mësojnë kundërshtarët evropianë, shpresohet për short të favorshëm

Descriptive Text

Ballkani, Drita, Llapi e Gjilani tashmë kanë nisur me përgatitje për edicionin e ri, përkatësisht për ndeshje evropiane. Me përgatitje më specifike, bazuar edhe në kundërshtarin, katër skuadrat kosovare të futbollit mund të fillojnë që të martën (nesër).

Të martën Ballkani mëson kundërshtarin e raundit të parë kualifikues për Ligën e Kampionëve. Ndërkohë Drita, Llapi e Gjilani mësojnë kundërshtarët e raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës, nivelit të tretë të garave evropiane për klube.

Kështu e marta është me shumë rëndësi për skuadrat kosovare që paraqiten në kupa kontinentale. Shorti vlerësohet shumë i rëndësishëm për rrugëtimin e tyre. Te të gjitha skuadrat shpresojnë në short të favorshëm, përkatësisht që të shmangin skuadrat më të forta të mundshme.

Ballkani mëson kundërshtarin e parë evropian të martën prej orës 12:00. Në short nuk do të jetë bartës, që nënkupton se mund të përballet me ndonjërën nga skuadrat më të forta të raundit të parë kualifikues. Ka skuadra të mëdha evropiane që paraqiten në raundin e parë kualifikues të Championsit. Të gjitha janë kampione në vendet e tyre.

Shmangia e përballjes me skuadra si Bodo/Glimt (Norvegji), Qarabag (Azerbajxhan), Malmo (Suedi), Ludogorets Razgrad (Bullgari), Sheriff (Moldavi), HJK Helsinki (Finlandë), CFR Cluj (Rumani), Ferencvarosh (Hungari), Maribor (Slloveni), do të rriste gjasat e skuadrës nga Suhareka për avancim në raundin e dytë kualifikues. Slovan Bratislava (Sllovaki), The New Saints (Uells), Dudelange (Luksemburg), Zhalgiris (Lituani), Lincoln Red Imps (Gjibraltar) dhe Shamrock Rovers (Irlandë), janë kundërshtarët e tjerë potencialë të Ballkanit.

Tre kampionët shqiptarë, Ballkani, Tirana dhe Shkupi, janë në mesin e skuadrave jobartëse në shortin për fazën e parë kualifikuese të Championsit.

Gjithsej 30 skuadra do të garojnë në raundin e parë kualifikues të Championsit. Nga raundi preliminar në këtë fazë kalon vetëm fituesi.

Ndeshjet e para luhen më 5/6 korrik, ndërsa të kthimit më 12/13 korrik.

Menjëherë të mërkurën Ballkani mëson kundërshtarin e mundshëm në raundin e dytë, nëse kalon në këtë fazë.

Të martën prej orës 14:00 kundërshtarët në Ligën e Konferencës i mësojnë Drita, Llapi e Gjilani. Për herë të parë Kosova prezantohet me katër skuadra nga gara kontinentale, përkatësisht me tri në Ligën e Konferencës.

Plot 60 skuadra paraqiten në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Drita, për shkak të sukseseve evropiane në edicionet e kaluara, ka rritur koeficientin dhe kështu që është në mesin e skuadrave bartëse në short. Bartës janë edhe Shkëndija e Tetovës, Laçi e Partizani i Tiranës.

Ndërkohë, Llapi e Gjilani janë në mesin e skuadrave jobartëse në short. Skuadrat nga i njëjti vend nuk mund të përballen, por nuk përjashtohet mundësia që Llapi e Gjilani të takohen me Shkëndijë, Laçin e Partizanin. Apo që Drita të takohet me Deçiqin e Tuzit, skuadrën shqiptare nga Mali i Zi.

Olimpia e Lubjanës është bindshëm skuadra më e njohur në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Ndeshjet e para luhen më 7 korrik, ndërsa të kthimit më 14 korrik. Edhe Drita, Llapi e Gjilani menjëherë të mërkurën mësojnë kundërshtarët e mundshëm në raundin e dytë kualifikues.

Skuadrat pjesëmarrëse në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve

Qarabag (AZE), Malmo (SWE), Ludogorets Razgrad (BUL), Sheriff (MDA), CFR Cluj (ROU), Bodo/Glimt (NOR), Ferencvaros (HUN), Maribor (SVN), Slovan Bratislava (SVK), HJK (FIN), The New Saints (WAL), F91 Dudelange (LUX), Zalgiris (LIT), Lincoln Red Imps (GIB), Shamrock Rovers (IRL)

Linfield (NIR), Zrinjski (BIH), Shakhtyor Soligorsk (BLR), Sutjeska Nikshiq (MNE), KI (FRO), Lech Poznan (POL), Hibernians (MLT), Tobol (KAZ), Shkupi (MKD), Pyunik (ARM), RFS (LVA), Dinamo Batumi (GEO), Tirana (ALB), Ballkani (KOS); fituesi i raundit preliminar

Skuadrat pjesëmarrëse në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës

Flora (EST), Shkëndija (MKD), Riga (LVA), Alashkert (ARM), Olimpija Ljubljana (SVN), KuPS (FIN), Fola Esch (LUX), Buduqnost Podgorica (MNE), Dinamo Tbilisi (GEO), DAC Dunajska Streda (SVK), Laçi (ALB), Mura (SVN), Drita (KOS), Dinamo Minsk (BLR), B36 Torshavn (FRO), Petrocub Hincesti (MDA), Liepaja (LVA), Europa (GIB), Partizani (ALB), Bredablik (ISL), HB (FRO), Gzira United (MLT), Milsami Orhei (MDA), Kauno Zalgiris (LTU), Bala Town (WAL), Tre Penne (SMR), St Joseph's (GIB), Crusaders (NOR), Pogon Szczecin (POL), Lechia Gdańsk (POL)

Ruzomberok (SVK), Borac Banja Luka (BIH), Inter Turku (FIN), KR (ISL), Tre Fiori (SME), Saburtalo Tbilisi (GEO), Sfîntul Gheorghe (MDA), Víkingur (FRO), Floriana (MTA), Derry City (IRL), Larne (NIR), Panevėzys (LTU), Paide Linnameeskond (EST), Cliftonville (NIR), Tuzla City (BIH), SJK (FIN), Differdange 03 (LUX), Llapi (KOS), Gjilani (KOS), Ararat Yerevan (ARM), Sligo Rovers (IRL), Dila Gori (GRO), Akademija Pandev (MKD), Hamrun Spartans (MLT), Newtown (WAL), Bruno's Magpies (GIB), Deçiqi (MNE), Iskra (MNE), UE Santa Coloma (AND), Atletic d'Escaldes (AND)