Sport

Perishiqi konfirmon largimin nga Interi

Descriptive Text

Sulmuesi i krahut, Ivan Perishiq nuk do të jetë më pjesë e skuadrës së Interit. Futbollisti kroat, të martën ka bërë të ditur se do të largohet nga Interi muajin e ardhshëm kur edhe i skadon kontrata.

Ai nëpërmjet një shkrimi në “Instagram” është përshëndetur nga ekipi italian, me të cilin e ka fituar një titull kampioni në Serie A.

“Pas 254 ndeshjeve, 55 golave, 49 asistimeve, 3 trofeve dhe 18,934 minutave të kaluara në fushë me këtë fanellë të lavdishme; rrugëtimi im këtu ka marrë fund. Ishte një përvojë e paharrueshme mësimi për mua si lojtar dhe për të gjithë familjen time. Për ekipin, stafin, për të gjithë punonjësit, por më e rëndësishmja për tifozët: ju gjithmonë do të keni një vend të veçantë në zemrën time. Largohem i privilegjuar që kam këtë klub në portofolin tim”, ka shkruar Perishiq 33-vjeçar.

Perishiq pritet që karrierën ta vazhdojë me Tottenhamin, ekip me të cilin ka arritur marrëveshje dhe thuhet se i ka kaluar me sukses kontrollimet mjekësore.