Sport

Shabani i vetmi që lufton për medalje në Evropianin e karatesë

Descriptive Text

Raundi i tretë i Evropianit ishte i pakalueshëm për karateistët e Kosovës të enjten. Tashmë kanë garuar të gjithë përfaqësuesit e Kosovës, ndërsa i vetmi që mund të fitojë medalje është Elhami Shabani. Ai të shtunën e kërkon medaljen e bronztë në Evropianin që po mbahet në Gaziantep të Turqisë.

Afër për ta siguruar luftën për medalje të bronztë ishte edhe Albinot Selmani. Ai të enjten humbi nga turku Eray Samdan. Selmani eliminoi ukrainasin, Nikita Filipov, ndërsa i suksesshëm ishte edhe në luftë me rumunin, Vlad Pamfil. Në repesazh Selmani humbi edhe nga gjermani Florian Haas.

Në raundin e tretë u eliminua edhe Albulena Gërvalla. Karateistja e kategorisë deri 55 kilogramë u mposht nga italiania Veronica Brunori.

Edhe për Redona Gashin raundi i tretë ishte i pakalueshëm. Ajo në kategorinë deri 50 kilogramë u eliminua nga karateistja nga Luksemburgu, Laura Hoffmann.

Shpresim Shabani u ndal në raundin e dytë.

Selektori i Kosovës, Ylber Syla, pranon se rezultatet i kanë munguar Kosovës, por ka theksuar se paraqitja e karateistëve ka qenë e mirë.

“Rezultate nuk patëm, por ka qenë një paraqitje e mirë. Nga Fortesa Orana kam pritur më shumë, por nuk kam përgjigje derisa të bëjmë një analizë së bashku. Mund të them se në përgjithësi jam i kënaqur me paraqitjen marrë për bazë moshën dhe mungesën e përvojës nga shumë garues. Ka mundur të jetë edhe më mirë. Albinot Selmani ka pasur një paraqitje të mirë. Ai shënoi dy fitore ashtu si edhe Albulena. Në Evropian është elita e garuesve të Evropës dhe sigurisht se duhet punë tjetër prej asaj që kanë bërë në gjenerata të reja. Duhet të punohet më shumë, por e rëndësishme është që kemi brumë. Kemi tani Botërorin për kadetë, juniorë dhe U-21 ku shumë prej këtyre garuesve do të paraqiten dhe unë sigurisht se pres të kenë sukses”, ka thënë Syla të enjten për KOHËN.

Pas garave individuale karateistët e Kosovës zhvilluan edhe garat ekipore. Karateistet e Kosovës kanë pësuar disfatë nga ato të Spanjës në raundin e parë. Kosova pësoi 6:1. Ndërkohë karateistët kanë kaluar në raundin e dytë. Në raundin e parë fituan përballë karateistëve të Sllovenisë, 3:2. Në raundin e dytë do t’i kenë përballë karateistët e Azerbajxhanit, të premten.

“Pas paraqitjes individuale kemi pasur paraqitje ekipore me vajza dhe djem. Vajzat u mundën nga spanjollet, ndërsa meshkujt kaluan me sukses sllovenët, kurse nesër do të paraqiten ndaj karateistëve të Azerbajxhanit. Elhami Shabanin e kemi për medalje të bronztë. Ai shënoi katër fitore dhe kam besim të plotë se nga Turqia do të kthehemi me medalje të bronztë. Është sport dhe nuk i dihet, por kam bindjen se Elhamiu do të fitojë medalje. I njoh të dy garuesit. Edhe boshnjaku është i fortë. Eliminoi garues botërorë e evropianë, por shpresoj që mundi i Shabanit të shpërblehet’', ka thënë Syla.

Elhami Shabani (75 kg) të shtunën do të garojë për medalje. Përballë do ta ketë karateistin nga Bosnjë-Hercegovina, Hamza Turulja.