Sport

Bayerni zyrtarizon mbrojtësin Mazraoui

Descriptive Text

Bayern Muencheni ka zyrtarizuar të martën përforcimin e parë për sezonin 2022/23. Është mbrojtësi i krahut të djathtë, i cili mund të luajë edhe si mesfushor, marokeni Noussair Mazraoui.

24-vjeçari te Bayerni do të transferohet si lojtar i lirë pasi muajin e ardhshëm i skadon kontrata me skuadrën e Ajaxit. Ai me ekipin bavarez ka firmosur kontratë deri në vitin 2026 dhe do t’i bashkohet më 1 korrik.

“Që në diskutimet e para me Bayerni n, pata një ndjenjë të mirë dhe jam i emocionuar që do t’i bashkohem njërit prej klubeve më të mëdha në Evropë. Kam zgjedhur këtë klub sepse mund të fitoj trofe të mëdhenj”, tha Mazraoui për sajtin zyrtar të Bayernit.

Ai prej vitit 2013 ishte pjesë e akademisë së Ajaxit kurse në vitin 2018 ka debutuar me ekipin e parë. Në 137 ndeshje me Ajaxin, Mazraoui ka shënuar edhe dhjetë gola.

Ai ka edhe 12 ndeshje dhe një gol të realizuar me Përfaqësuesen e Marokut.