Sport

Me përmbysje të madhe, Evertoni siguron mbijetesën

Descriptive Text

Nga disavantazhi prej dy golash në pjesën e parë, Evertoni ka arritur të fitojë ndaj Crystal Palacet për të siguruar edhe një sezon në Premier Leaguen angleze.

Skuadra e Frank Lampardit fitoi 3:2 në shtëpi ndaj Crystalit, që pati epërsi prej dy golave në pjesën e parë. Jean-Philippe Mateta dhe Jordan Ayew realizuan golat për mysafirët.

Në pjesën e dytë vendasit u kthyen me Michael Keanen në minutën e 54-të, Richarlisonin në minutën e 75-të dhe Dominic Calvert-Lewinin në të 85-tën.

Teksa ka mbetur edhe një ndeshje deri në fund të stinorit, Evertoni ka 39 pikë në pozitën e 16-të, katër pikë larg Leedsit që zë pozitën e 18-të, që çon në rënie nga liga.

Tashmë rënien prej ligës e kanë të garantuar Norwichi dhe Watfordi. Gara në xhiron e fundit do të zhvillohet mes Burnleyt e Leedsit. Të dyja kanë nga 35 pikë.