Sport

Klubet braziliane hapin dyert për investitorët e huaj

brazili, sport, futboll

Një ligj i ri që lejon klubet braziliane të futbollit të funksionojnë si kompani ka hapur derën për investitorët e huaj për të blerë ekipe në shtëpinë shpirtërore të “lojës së bukur” duke ndjekur hapat e Evropës, ka shkruar AFP të martën. I miratuar vitin e kaluar, ligji mund të ndihmojë klubet e dëmtuara braziliane të kthejnë financat e tyre.

Pas një shekulli që funksionuan si shoqata jofitimprurëse, klubet braziliane kanë filluar të transformojnë modelet e tyre të biznesit qëkur Kongresi i Brazilit miratoi projektligjin në gushtin e kaluar, duke inkurajuar krijimin e korporatave të futbollit. Tashmë, investitorët amerikanë kanë negociuar marrëveshje për të blerë klubet historike të Rio de Janeiros, si Botafogo e Vasco da Gama.

I madhi i futbollit brazilian, Ronaldo, i pensionuar nga ditët e tij të lavdisë së fituesit të “Topit të Artë” në Evropë, ka blerë Cruzeiron, klubin ku ai bëri debutimin e tij profesional, duke e shtuar atë në portofolin e tij të investimeve së bashku me skuadrën e divizionit të dytë të Spanjës, Real Valladolid.

Përpara miratimit të ligjit, vetëm dy klube të nivelit të lartë brazilian funksiononin si kompani: Cuiaba, në pronësi të prodhuesit vendas të gomave “Drebor” dhe Red Bull Bragantino, si pjesë ndërkombëtare e skuadrave të kompanisë austriake të pijeve energjike “Red Bull”.

“Futbolli brazilian ishte gjithmonë shumë i mbyllur ndaj investimeve të jashtme për shkak të modelit të biznesit të kontrolluar nga vendasit," tha Cesar Grafietti, i cili këshillon investitorët e futbollit si partner në firmën “Convocados”. “Me këto investime tendenca do të jetë që menaxhmenti i klubeve braziliane të përmirësohet, gjë që sjell akoma më shumë para dhe nga ana tjetër performancë më të mirë”.

Ekspertët thonë se klubet braziliane janë një opsion tërheqës për investitorët e huaj. Brazili është eksportuesi kryesor në botë i futbollistëve dhe monedha e tij është dobësuar nga pandemia e koronavirusit. Potenciali i biznesit “është i madh” në vendin e çmendur pas futbollit me 213 milionë banorë, tha Grafietti. Para se të bëheshin korporata futbolli, Botafogo, Vasco dhe Cruzeiro ishin të mbërthyer në kriza financiare, një fat shumë i zakonshëm për ekipet braziliane. Tani, fansat dhe investitorët do të shikojnë rezultatet. Botafogo u rikthye në divizionin e parë këtë vit, dhe aktualisht është i katërti në elitë. Vasco dhe Cruzeiro janë në kategorinë e dytë, duke luftuar për t'u ngjitur. Të tre klubet së bashku kishin grumbulluar borxhe për vitin 2020 që arrinin deri në 442 milionë dollarë. Botafogo u ble nga biznesmeni amerikan John Textor, i cili bleu 90 për qind të aksioneve në klub në mars.

Sipas marrëveshjes, Textor, i cili gjithashtu zotëron skuadrën angleze Crystal Palace dhe Molenbeek të Belgjikës, do të investojë 77 milionë dollarë në ekip në tre vjetët e ardhshëm.

“Futbolli nuk është i ndryshëm nga çdo biznes tjetër. Duhet të fitosh për të qenë fitimprurës”, tha magnati 56-vjeçar, përpara se të rekrutonte trajnerin portugez Luis Castro dhe të nënshkruante me disa lojtarë të rinj.

Ronaldo bleu 90 për qind të aksioneve në Cruzeiro për një shumë të pazbuluar në muajin prill.

"Ne nuk do të pushojmë derisa të kemi zbatuar gjerësisht një model menaxhimi që është efikas, etik dhe që sjell rezultate”, tha ai.

Por klubi deri më tani ka mbetur relativisht i dobët kur bëhet fjalë për nënshkrimin e talenteve të reja. Sa i përket Vascos, grupi amerikan “777 Partner”s, i cili zotëron skuadrën italiane Genoa dhe një aksion në Sevilla të Spanjës, po kërkon të blejë një 70 për qind të aksioneve të klubit për 135 milionë dollarë.

Marrëveshja ka ende nevojë për një dritë jeshile nga këshilltarët dhe partnerët e Vascos. Kjo treshe e parë e klubeve duhej të lëvizte shpejt për shkak të “arsyeve urgjente financiare”, tha specialisti i marketingut sportiv Rafael Zanette. Por, klubet e tjera po e marrin parasysh këtë dhe së shpejti mund të blihen nga investitorët e huaj.

“Në të ardhmen disa klube të interesuara për t'u bërë korporata tashmë kanë nisur negociatat”, tha ai.

Sipas raporteve të mediave lokale, skuadra e kategorisë së dytë Bahia është aktualisht në negociata me “City Football Group”, pronarët e Manchester Cityt dhe nëntë klubeve të tjera. Kampioni në fuqi i Brazilit, Atletico Mineiro, ka thënë se nuk e përjashton mundësinë të shndërrohet në korporatë futbollit. Fuqitë e tjera, Corinthians dhe Palmeiras, po qëndrojnë të heshtur tani për tani. Por kjo mund të ndryshojë. Zanette parashikon se Brazili, klubet e të cilit kanë fituar katër nga pesë edicionit e fundit të Copa Libertadores, do të dominojë edhe më shumë futbollin e Amerikës së Jugut sipas sistemit të ri.

“Amerika Latine duhet të shikojë tregun brazilian si referencë”, tha ai. “Kjo është rruga për t'u rritur, madje edhe për të filluar të arrijë Evropën”.