Sport

Te Prishtina e arsyetojnë edicionin pa trofe

Descriptive Text

Prej katër trofeve të mundshëm, Sigal Prishtina në edicionin 2021/22 nuk e fitoi asnjërin. Është hera e parë pas një kohe të gjatë që klubi më i suksesshëm i basketbollit të Kosovës mbeti duarthatë.

Të shtunën Prishtina e mbylli edicionin duke u eliminuar në gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës. Serinë gjysmëfinale Sigal Prishtina e humbi me rezultatin 3:0 nga kampioni në fuqi, Golden Eagle Ylli.

Te Prishtina pranojnë se kishin synime për trofe, përkundër ndryshimeve rrënjësore në ekip. Mirëpo insistojnë se lëndimet e lojtarëve të huaj kanë ndikuar shumë. Wendell Mitchell, Kenny Brown e Devin Thomas u larguan para kohe nga ekipi, kurse Biram Faye përkundër lëndimit të gjurit, është munduar ta ndihmojë skuadrën.

Drejtori sportiv i Prishtinës, Edmond Azemi, ka thënë se Mitchell, Brown e Thomas u larguan pak para fillimit të plejofit dhe Prishtina ishte e detyruar të luante vetëm me dy të huaj.

“Normalisht që jemi mësuar që çdo sezon të luftojmë dhe të fitojmë trofe duke pasur parasysh se jemi klubi më i trofeshëm. Por këtë herë lëndimet na kushtuan ta mbyllim sezonin pa trofe. Pikërisht kur ishim në ngritje si ekip nga ndeshja në ndeshje, erdhën lëndimet e lojtarëve të huaj që ishin të rëndësishëm për ekipin”, është shprehur Azemi të hënën për KOHËN. “Ata na munguan në plejof kurse Faye ashtu i lënduar u mundua të na ndihmojë, por nuk arritëm më shumë. Përkundër që bëmë transicion në ekip për këtë sezon, duke filluar pothuajse nga e para, ne i kishim synimet tona. Mirëpo nganjëherë nuk ke fat. E ne nuk patëm fat me lëndime”.

Sipas Azemit, lëndimet e lojtarëve erdhën nga orari i ngjeshur që Prishtina e pati këtë edicion. Krahas kampionatit të Kosovës, Prishtina mori pjesë edhe në Ligën Ballkanike (BIBL), garë të cilën e ka fituar dy herë në të shkuarën. Në BIBL, Prishtina u eliminua në çerekfinale. Në këtë fazë u ndal edhe në turneun e Superkupës, e po ashtu në “Final 8” të Kupës së Kosovës.

“Patëm shumë ndeshje dhe orar të ngjeshur këtë edicion pasi luajtëm edhe në BIBL. Kishte raste kur i luanim tri ndeshje brenda javës dhe duket se kjo ndikoi në lëndimet e lojtarëve. Duket se ngarkesa e madhe ka ndikuar”, është shprehur Azemi. “Ne si klub vendosëm të kemi më shumë ndeshje për shkak se donim që ekipi të krijonte më shumë përvojë. Vetëm liga e Kosovës nuk na garantonte një gjë të tillë, kështu që morëm pjesë edhe në Ligën Ballkanike”.

Sipas Azemit, Prishtina nuk e pati të lehtë të bënte ekip për këtë edicion shkaku i problemeve të trashëguara, por sërish ia doli. Ai zbuloi se patën vështirësi për të joshur lojtarë vendorë që janë cilësorë. Kështu që klubi ishte i detyruar t’ua bënte pasaportat e Kosovës, Jan Palokajt dhe Jetmir e Lejson Zeqirit, të cilën u llogaritën pastaj vendorë.

“Përkundër problemeve të trashëguara ne kemi pasur synime këtë sezon si klub. Kishim vështirësi t’i bindim lojtarët e mirë vendorë për të ardhur dhe kjo ka ndikuar dukshëm. Ne i bëmë me pasaporta Palokajn e vëllezërit Zeqiri që është një arritje e madhe për të krijuar stabilitet”, tha Azemi.

Sa i përket edicionit të ardhshëm, Azemi insistoi se Prishtina do të kthehet fuqishëm dhe sërish do ta ketë imazhin që e kishte në të kaluarën, si ekip i trofeve. Sipas tij, synimi është që të mbahen shumica e lojtarëve vendorë, por edhe trajneri Ante Nazor.

“Së shpejti do të ulemi me të gjithë për të biseduar në mënyrë që t’i shohim synimet e planet për sezonin tjetër”, shtoi Azemi, i cili para fillimit të këtij edicioni u emërua drejtor sportiv pasi u tërhoq nga loja aktive.