Sport

Barcelona i ofron kontratë trevjeçare Lewandowskit

Lajmi për largimin e Robert Lewandowskit e ka zbehur festën e Bayern Munichut që sivjet u shpall sërish kampion në Bundesligën e Gjermanisë.

“Kicker” ka raportuar të shtunën se golashënuesi më i mirë i elitës së futbollit gjerman u ka thënë drejtuesve të bavarezëve se nuk dëshiron ta vazhdojë kontratën, e cila i skadon në verën e vitit 2023.

Është raportuar, po ashtu, se ai dëshiron që nga sezoni i ardhshëm të jetë pjesë e skuadrës së Barcelonës, që thuhet se i ka ofruar kontratë trevjeçare.

Megjithatë, ekziston rreziku që klubi i Bayernit të mos e lëshojë atë.

Anëtari i bordit për sport te skuadra bavareze, Hasan Salihamixhiq, ka thënë se Lewandowski do të mbetet në skuadër.

“Ai ka kontratë deri më 30 qershor, 2023. Tani kemi kohë për të folur se çfarë do të ndodhë pas kësaj date”, ka thënë Salihamixhiq.

Nga ana tjetër, menaxheri i Lewandowskit, Cezary Kucharski, ka nënvizuar se polaku dëshiron të ndryshojë ambient dhe se Spanja ka qenë gjithmonë synim i tij.