Sport

Rrugëtimi i përbashkët i Lah Nimanit e Xhevdet Pecit, ikona të boksit

Descriptive Text

“Akumulatori” quhej klubi mitrovicas i boksit ku Lah Nimani po punonte me zell. Një prej boksierëve me të ardhme në atë klub, në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, ishte Xhevdet Peci.

Peci kishte nisur pak vonë karrierën e boksierit – në moshën 16-vjeçare. Por Lah Nimanit, trajneri më i mirë shqiptar i boksit, menjëherë i ra në sy e majta e fuqishme e djaloshit nga fshati Zhazhë.

“Më kujtohet kur e nisa. I shikoja boksierët e tjerë që ktheheshin me grushte nga ana e djathtë, kurse unë isha i majtë. Kur më pa profesori i ndjerë, Lah Nimani, më pyeti se me cilën dorë gjuaj gurin. I thashë me të majtën dhe ai menjëherë reagoi duke më thënë që duhet të mbaja qëndrim të kundërt me të tjerët që ishin të djathtë”, kishte treguar për KOHËN, Xhevdet Peci në një intervistë të vitit 2015.

Peci vdiq të hënën në moshën 67-vjeçare. Ka lënë trashëgimi të mahnitshme sportive. Rruga e tij sportive do të mund të ishte krejt ndryshe sikur në fillim të vitit 1974 të mos ndiqte rrugën që e bëri edhe trajneri ikonik, Lah Nimani. Nimani iu bashkua klubit prishtinas të boksit, që po shfaqte pretendime për suksese kulmore në shtetin e atëhershëm federativ. Dhe mori nga Mitrovica Xhevdet Pecin, ndër të tjera. E mori si boksier me potencial e të ardhme. Jo si boksier të konfirmuar. Lahu e njihte shumë mirë potencialin e Pecit shtathedhur.

“Enver Hajredinin e Sefedin Brahën i kam pasur bashkëboksierë. Pastaj Sefedini u bë edhe ndihmëstrajner i Lah Nimanit, kurse Hajredini vazhdoi me boks”, ka kujtuar tutje Peci.

Braha vazhdon të jetë pjesë e boksit. Vite më parë është kthyer nga Gjermania dhe ka hapur klubin Trepça në Mitrovicë. Vazhdon punën me entuziazëm. Hajredini tashmë më shumë është i njohur si trajner i notit. Por ka bërë emër edhe si boksier.

“Së bashku me Lah Nimanin, Enver Hajredinin dhe Faruk Gërxhaliun kemi ardhur nga Mitrovica në Prishtinë”, kishte treguar Xhevdet Peci në atë intervistë të vitit 2015.

Prishtina shpejt u bë superfuqi e boksit në shtetin e atëhershëm federativ. Fitoi pesë tituj të kampionit, ndërsa shumë herë ishte nënkampione në garat ekipore. Lah Nimani vlerësohet kreator i gjithë atij suksesi. Ai në fakt ishte trajneri bindshëm më i suksesshëm në Kosovë derisa në skenë doli Driton Kuka me xhudistët e tij.

Për suksesin e madh të Prishtinës kanë merita të mëdha edhe boksierët që për kapiten e kishin Mehmet Bogujevcin me teknikë të përsosur. Peci ishte boksieri i kategorisë së rëndë dhe boksonte i fundit. Pra i ka rënë që të sigurojë gëzimin përmbledhës e po ashtu titujt e kampionit. Por ishte kontribut meritor, ka thënë ai. Peci në fakt ishte i vetmi boksier që ishte pjesë e ekipit në të gjitha pesë edicionit në të cilat fitoi titullin. Ai kishte edhe katër tituj individualë të Jugosllavisë e po ashtu dy tituj të Ballkanit. Në nivele më të larta nuk kishte fituar medalje.

Lah Nimani, prej trajnerëve më të vlerësuar të kohës në ish-Jugosllavi, ka pasur suksese më të mëdha. Por suksesi me Prishtinën është “markë” mbrojtëse e karrierës së tij.

“Unë kam pasur fatin që i fundit të boksoj dhe pesë tituj më ka rënë t’i vendos unë. Mirëpo po të mos fitonin boksierët e tjerë, nuk kisha mundur të bëjë asgjë edhe po të fitoja. Ne fituam ata tituj të ish-Jugosllavisë së bashku e jo individualisht. Kemi qenë ekip shumë i fortë, i përgatitur shumë si në aspektin fizik ashtu edhe në atë taktik. Nga viti 1975 e deri në vitin 1983 kemi qenë pa konkurrencë. Ka qenë superfuqi Prishtina”, kishte treguar Peci.

Trajneri ikonik, Lah Nimani, në fund të viteve nëntëdhjetë ishte vendosur në SHBA. Ka vdekur në këtë vend më 21 shkurt të vitit 2008. Një prej dy turneve më të mëdhenj të boksit në Kosovë mban emrin e tij. Çmimi më i lartë sportiv që ndan Mitrovica, po ashtu mban emrin e legjendarit Lah Nimani.

Disa muaj më parë në SHBA ishte vendosur edhe Xhevdet Peci. Dhe ai, njëjtë si trajneri Nimani, vdiq në vendin e dhënë shumë pas boksit.

Rrugëtimi i Nimanit e Pecit ishte i ngjashëm. Ndërsa kontributi i tyre i përbashkët te Prishtina solli një prej rrëfimeve më të mira jo vetëm sportive në histori të Kosovës.