Sport

Eroll Salihu nuk e pranon vendimin e KE të FFK-së, thotë se është hakmarrje e Agim Ademit

Eroll Salihu nuk ka pranuar vendimin e fundit të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës. Ky organ të enjten vendosi ta largojë nga puna Salihun, njërin prej personaliteteve më të njohura të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Salihu për kohë të gjatë ka mbajtur pozitën e sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, ndërsa muaj më parë ishte degraduar në një pozitë tjetër, pas konfliktit të vazhdueshëm me Agim Ademin, kryetar i FFK-së.

“KE pas shqyrtimit të shkeljeve disiplinore nga ana e Eroll Salihut, drejtor sportiv dhe këshilltar i lartë ligjor, mori vendim që t’i ndërpritet marrëdhënia e punës dhe i njëjti do të njoftohet në formë të shkruar”, thuhet në një njoftim të FFK-së, të publikuar të enjten pasdite.

Pas kritikave publike, Eroll Salihu ishte pezulluar fillimisht nga pozitat në FFK. Ai nuk ndali vërejtjet dhe kritikat ndaj Ademit dhe Komitetit Ekzekutiv të Federatës. Javë më parë ndaj Salihut, dikur futbollist e trajner i njohur, u hap procedurë disiplinore edhe nga Komisioni i Garave, ndërsa të enjten vendim ndaj tij mori edhe Komisioni Disiplinor. Por fillimisht ishte Komiteti Ekzekutiv që doli me vendim për ta larguar nga puna.

Eroll Salihu për 16 vjet është pjesë e FFK-së. Ai thotë se vendimi është vepër e Agim Ademit, përkatësisht akt i hakmarrjes së tij. Ademi ka fituar edhe një mandat për ta drejtuar FFK-në.

Salihu e ka quajtur “kriminel” të parin e FFK-së.

“Është pritur kjo nga dikush që është dënuar me burg dhe që ka rigjykim pas pak ditësh. Nga dikush që është dënuar prej UEFA-s, që gënjen vazhdimisht. Agim Ademi është shkatërrimtar i futbollit të Kosovës. Natyrisht, nuk e pranoi këtë vendim. Pas 16 vjetësh punë në Federatë nuk mund të të largojnë me një kësi vendimi nga puna. Dhe nga kush se”, ka thënë Salihu për KOHËN.

Ai ishte pjesë e rëndësishme e FFK-së gjatë procesit të pranimit në UEFA dhe FIFA.

“Sa isha në Federatë isha pengesa kryesore e tij. Por nuk mund të pritet më mirë nga një person që sulmon administratën, që me çdo kusht synon të mbetet në krye të Federatës dhe mundohet t’i largojë të gjithë ata që nuk pajtohen me të. Agim Ademi nuk po frikësohet se do ta humbë drejtimin e federatës, por po frikësohet se kur të vijë dikush tjetër çka do të dalë në shesh. Ajo që do të dalë në shesh, do ta tronditë futbollin e Kosovës”, ka theksuar Eroll Salihu.

KOHA ka kërkuar qëndrim nga zyra për shtyp e FFK-së lidhur me akuzat e Salihut ndaj Ademit. Agim Ademi ka kohë që nuk flet për KOHËN, ndërsa edhe përgjigjet e zyrës për shtyp për këtë temë kanë munguar.