Sport

Benzema i jashtëzakonshëm, ia siguron edhe një fitore Realit

Karim Benzema po vazhdon me paraqitje impresive dhe me gola vendimtar. Francezi të dielën mbrëma shënoi në minutën e 92-të për t’ia dhënë fitoren Realit në ndeshjen derbi ndaj Sevillas. Sevilla ishte vendase në derbin e xhiros së 32-të të La Ligas dhe kishte epërsi prej 2:0.

Por kjo nuk mjaftoi.

Ivan Rakitiq kaloi në epërsi Sevillan me gol të bukur të shënuar në minutën e 21-të. Për 2:0 realizoi Erik Lamela në minutën e 25-të.

Skuadra madrilene u kthye në pjesën e dytë. Rodrygo shënoi fillimisht në minutën e 50-të për 2:1. Shifrat në 2:2 i barazoi rezervisti tjetër, Nacho Fernandez. Në dy golat e parë asistoi Daniel Carvajal.

Kur pritej që ndeshja të përfundoi 2:2, në skenë doli Benzema.

Rodrygo shpërtheu në zonë dhe gjeti para portës sulmuesin francez. Ndonëse kishte disa lojtarë para, Benzema gjeti rrugën për ta dërguar topin në rrjetë për 3:2.

Me fitore, Reali është përforcuar në pozitën e parë. I ka 75 pikë nga 32 ndeshje. Barcelona është e dyta me 60 pikë nga 30 ndeshje. 60 pikë i ka edhe Sevilla në pozitën e tretë, por nga 32 ndeshje, njëjtë si Atletico Madridi.