Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Problemet me pronë lënë peng investimin 2 milionë eurosh të UEFA-s në Obiliq

Projekti i Federatës së Futbollit të Kosovës për qendrën sportive në Obiliq, i mbështetur nga UEFA në vlerë fillestare prej 2 milionë eurosh, ka mbetur peng për gati një vit, për shkak të lokacionit, që ende nuk është shpronësuar.

Paratë e shtëpisë së futbollit evropian dedikuar për rregullimin modern të tri fushave sportive dhe objekteve përcjellëse, janë duke pritur, derisa zyrtarët e FFK-së paralajmërojnë humbjen e këtyre fondeve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, i ka thënë Kohavisionit se tash e sa muaj, nuk ka lënë derë pa trokitur për të bërë zgjidhje, madje ka shkuar edhe deri te kryeministri Isa Mustafa, por që deri me tani kërkesat e tij kanë hasur në veshë të shurdhër.

Pasi nuk mori përgjigje pozitive, Gashi ka vendosur që të mbajë mbledhje urgjente në Kuvendin Komunal dhe e ka shpallë atë zonë me interes publik.

Gashi, që po pret të fuqizohet vendimi i Kuvendit Komunal nga Ministria e Pushtetit Lokal, deklaroi se tani i mbetet Ministrisë së Financave që ta caktojë çmimin e pronës e më pas Komuna e Obiliqit do të paguajë shumën e caktuar në Agjencinë e Privatizimit, në mënyrë që të fillojë implementimi i projektit.

I pari i Obiliqit ka thënë se krejt kjo vonesë ka ndodhur shkaku i procedurave burokratike dhe do të ishte mëkat e turp për komunën nëse e humb këtë projekt.

Sporti në KTV, të martën, ka qenë në Obiliq, për të parë vendin ku duhet të ndërtohet qendra sportive. Në hapësirën prej 10 hektarëve, ku ndodhen fushat e futbollit, ku i luan ndeshjet KEK-u, pritet të përfitojë edhe klubi i vetëm i futbollit nga Obiliqi.

Të gjitha problemet kanë lindur pasi toka, në të cilën ndodhen fushat e futbollit, është e Kombinatit Bujqësor, asetet janë të Korporatës Energjetike të Kosovës, ndërkohë menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Nëse nuk rregullohet çështja e pronësisë brenda disa muajve, sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, theksoi se ky projekt i madh rrezikon të humb.