Sport

Yakin për KOHËN: Kosova ka ekip të fortë me lojtarë shumë të mirë

Prishtinë, 20 mars – Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, e ka vlerësuar test të rëndësishëm ndeshjen miqësore kundër Kosovës.

Yakin, në një intervistë për KOHËN, ka thënë se Kosova ka ekip të fortë me lojtarë shumë të mirë.

Zvicra dhe Kosova do të përballen për herë të parë në një miqësore. Ndeshja do të luhet më 29 mars nga ora 18:00 në stadiumin “Letzigrund” në Zuerich.

Yakin ka theksuar se Kosova ka pasur ngritje në vitet e fundit. Ndonëse bëhet fjalë për miqësore, Yakin pret seriozitet maksimal nga lojtarët e tij, përfshirë edhe futbollistët shqiptarë të ftuar te Zvicra.

Zvicra më 26 mars luan në “Wembley” me Anglinë, ndërsa tri ditë më vonë e pret Kosovën në Zuerich.

“Në nivel ndërkombëtar çdo lojë është e vlefshme. Kosova ka kaluar një zhvillim të madh në vitet e fundit dhe ka një ekip të fortë me shumë lojtarë shumë të mirë.

Është një ndeshje miqësore, por duhet të ketë seriozitetin e duhur nga pikëpamja sportive. Është ndeshje në të cilën të gjithë duan të fitojnë. Për ne është një test i rëndësishëm për Ligën e Kombeve dhe gjithashtu për Kupën e Botës. Por nuk duhet të jetë vetëm një lojë miqësore në fushë, por edhe një lojë miqësie”, ka thënë Yakin për KOHËN.

Yakin e ka quajtur të veçantë duelin me Kosovën. Ka thënë se pret të jetë miqësore edhe në tribuna, jo vetëm në fushë.

Pritet të ketë numër të madh të shqiptarëve që jetojnë në Zvicër. Interesimi për ta përcjellë Kosovën përballë Zvicrës nuk mungon.

Pjesë e Zvicrës për këto dy ndeshje janë tre futbollistë me prejardhje nga Kosova – Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e Andi Zeqiri. Xhaka, që i mungoi Zvicrës në gjashtë ndeshjet e fundit për kualifikimet e Kampionatit Botëror “Katari 2022”, është rikthyer në ekip për ndeshjet e këtij muaji.

“Nëse nuk lëndohen, do të luajnë të dy. Në të dyja skuadrat kemi lojtarë që kanë një lidhje të veçantë me të dyja kombet. Dhe kështu do të jetë edhe për spektatorët. Kjo është arsyeja pse është një lojë e veçantë për të gjithë ata. Është një ndeshje miqësore dhe supozohet të jetë një lojë miqësie. Por nga pikëpamja futbollistike çdo ekip dëshiron të fitojë dhe në përputhje me rrethanat të gjithë do të japin më të mirën e tyre”, është shprehur Yakin.

Yakin ka thënë se si Xhaka ashtu edhe Shaqiri janë pjesë e rëndësishme e Zvicrës. Ai mburret që ka lojtarë të nivelit të tyre në përbërje.

“Ata të dy kanë bërë 200 ndeshje ndërkombëtare së bashku për Zvicrën. Ata janë model në fushë dhe jashtë saj për futbollistët e rinj në Zvicër dhe Kosovë. Ata kanë merita të mëdha në futbollin zviceran dhe jam shumë mirënjohës që kam lojtarë si ata në ekipin tim”, është shprehur Yakin.

Për Xhakën, miqësorja me Kosovën do të jetë e veçantë edhe për faktin se ai pritet ta regjistrojë paraqitjen e tij jubilare, të 100-tën, me fanellën e Zvicrës. 29-vjeçari debutoi në vitin 2011 te Zvicra dhe ka shënuar 12 gola në 98 ndeshje.

30-vjeçari, Shaqiri, ka luajtur tashmë 100 ndeshje për përfaqësuesen “helvetike”. Ai ka shënuar 26 gola.

Yakin ka shtuar se si Kastriot Imeri ashtu edhe Andi Zeqiri janë e ardhmja e Zvicrës. Të dy lojtarët janë me rrënjë nga Kosova. Për të dy lojtarët edhe Kosova ka qenë e interesuar.

Selektori Yakin shpreson që te Zvicra të përfshihen edhe shumë futbollistë kosovarë të talentuar që luajnë në kampionatin e Zvicrës dhe në disa shtete të tjera.
“Për përfaqësuesen tonë tashmë kanë luajtur Kastriot Imeri dhe Andi Zeqiri. Në Zvicër ka shumë lojtarë të rinj me rrënjë kosovare të cilët janë gjithashtu në programin tonë të zhvillimit të talenteve dhe që mund të luajnë në ekipin tonë në të ardhmen”.

Shaqiri së fundi ka ndryshuar skuadër. Nga kampionati elitar i Francës, përkatësisht Lyoni, u transferua te Chicago Fire në SHBA. Të dielën Shaqiri shënoi golin e parë në kampionatin MLS të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Yakin vlerëson ndryshimin që bëri Shaqiri.

“Unë jam plotësisht pas këtij ndryshimi. Është gjithmonë e rëndësishme që Xherdani të ketë besim te klubi i tij dhe të ndiejë se është pa lëndime dhe se po luan rregullisht. Deri më tani ka qenë shumë pozitive për të dhe ekipin e tij”, ka thënë Yakin.

Ai thotë se do ta mbështesë edhe një vendim të radhës të Xhakës. Xhaka është duke u kërkuar nga disa klube, më e interesuara është Roma.

“Nga pikëpamja sportive rrallëherë ka një arsye për t'u larguar nga Anglia. Graniti është një lojtar me përvojë dhe i zgjuar që mund të vlerësojë saktë se ku dëshiron të luajë në të ardhmen”.

Xhaka është kapiten te Zvicra, ndërsa Shaqiri zëvendëskapiten. Të dy kanë bartur barrën kryesore në sukseset e viteve të fundit të Zvicrës. Yakin shpreson që me këtë gjeneratë të arrijë ta fitojë ndonjë Evropian apo Botëror.

“Pse jo!”, pyet ai.

Para se Kosova të luajë ndaj Zvicrës, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të luajë miqësoren kundër Burkina Fasos. Miqësoren e luan të enjten.