Sport

Ozil në autobiografi tregon arsyen e mostransferimit te Barça

Mesut Ozil ka thënë se mungesa e interesimit nga Pep Guardiola e bindi atë që të refuzonte transferimin te Barcelona gjatë vitit 2010.

Gjermani ishte njëri prej lojtarëve më të kërkuar në vitin 2010 pas suksesit që kishte treguar në Kupën e Botës dhe me Werder Bremenin në Bundesliga.

Barcelona ishte në mesin e klubeve që kishin shfaqur interesim për të dhe Ozil ishte i bindur se do të kompletohej kalimi i tij te Barcelona.

Por, tani mesfushori i Arsenalit zgjodhi transferimin te rivali i Barçës, Real Madridi. Këtë vendim Ozili e mori shkaku i sjelljes së Guardiolas.

“Arsenali ishte interesuar për mua pas Kupës së Botës 2010, siç ishin edhe Manchester Unitedi, Bayern Munichu, Barcelona dhe Real Madridi”, ka shkruar Ozil në autobiografinë e tij me titull “Die Magie des Spiels” e cila është publikuar në Bild.

“Agjenti im bisedoi me Bayernin. Klubi i tregoi për planet që kishte me mua dhe si do të më shfrytëzonin. Ai kishte bisedime të ngjashme edhe me klubet tjera. Para se të udhëtoja për te Barcelona, isha i bindur se ky ishte klubi im i ri. Nuk kishte ekip në botë që luante futboll më mirë se ata”, ka shkruar më tej Ozil.

“Por Guardiola nuk mori pjesë në bisedime dhe as nuk më telefonoi. Ai madje nuk më shkroi mesazh. Nuk tregoi se më dëshironte mua. Interesimi im për kalim te Barcelona shumë shpejt u shua”.