Sport

Ozil tregon për fjalosjen me Mourinhon

Descriptive Text

Ylli i Arsenalit, Mesut Ozil ka zbuluar se Jose Mourinho e kishte quajtur “frikacak” gjatë një fjalosje sa ishin pjesë e Real Madridit.

Këtë pohim Ozil e ka bërë në autobiografinë e tij, të cilën në pjesë të veçanta do ta publikojë gazeta gjermane “Bild”.

Në një pjesë të autobiografisë, Ozili ka kujtuar momentin kur trajneri portugez në pushim mes pjesëve e kishte kritikuar ashpër.

“ ‘Mendon se dy pasime të bukura janë të mjaftueshme? Mendon se je aq i mirë sa të luash me vetëm 50 për qind?’ Pushon pak. Më shikon me sytë e tij kafe. Unë ia kthej shikimin. Si dy boksier që shikojnë njëri-tjetrin në raundin e parë. Ai nuk shfaq emocion. Pret përgjigje nga unë. Sa shumë e urreja në ato momente. Por edhe e dua”, ka shkruar Ozil.

“ ‘Po dorëzohesh tani? Je një frikacak. Çfarë do? Të ulësh kokën nën dush? Të shkumosh flokët? Të jesh vetëm? Ose ta tregosh veten para bashkëlojtarëve, para fansave dhe meje. A mund ta bësh këtë’”, i ka thënë Mouriho.

Ozil dhe Mourinho u larguan nga Madridi në vitin 2013. Lojtari u transferua te Arsenali ndërsa Mourinho u rikthye te Chelsea.