Sport

Vazhdon lufta për mbijetesë në elitën e futbollit francez

Saint-Etienne dhe Bordeauxi së bashku kanë 16 tituj në kampionatin e Francës, por dy prej skuadrave më të suksesshme në Francë, e shohin veten në pozitë të vështirë sivjet për mbetje në elitë.

Për shkak të problemeve shumë të mëdha financiare të shkaktuara nga pandemia Covid-19 dhe akuzimet me keqmenaxhim, Saint-Etienne dhe Bordeauxi zënë dy pozitat e fundit në Ligue 1. Bordeauxi është i parafundit me 17 pikë, kurse Saint-Etienne në pozitën e fundit me 12 pikë.

Saint-Etienne mban rekordin në Francë me 10 tituj. Dominimi prej viteve 1960-1970 ka mbetur vetëm në kujtesë. “Les Verts” po ashtu kanë shkuar në finale të Kupës Evropiane në vitin 1976, por skandali me financa ka bërë që skuadra e fillojë rënien prej vitit 1980.

Nga ana tjetër, dy titujt e fundit në Ligue 1 për Bordeauxin kanë ardhur nga viti 1999 deri në vitin 2009.

Bordeauxi udhëhiqet nga Vladimir Petkoviq. Petkoviqi e udhëhoqi Zvicrën deri në çerekfinale të Evropianit, por në ndeshjen e fundit u mposht 6:0 nga Rennes. Ishte disfata më e thellë në Ligue 1 e tyre prej vitit 1986.

Thierry Henry mund ta zëvendësojë atë në postin e trajnerit. Në fundjavë, Bordeauxi e pret Strasbourgun. Ndeshja luhet të dielën në orën 15:00 dhe i takon xhiros së 22-të.

Paris Saint-Germaini po shkon drejt një tjetër titulli në Francë. Ka 11 pikë më shumë se Nice i vendit të dytë dhe do të luajë kundër Reimsit të dielën në orën 20:45. Kjo ndeshje e mbyll edhe xhiron e fundjavës në Francë. Nice i vendit të dytë luan kundër Metzit të shtunën në orën 13:00, kurse Marseille i vendit të tretë me 37 pikë, do të udhëtojë te Lensi në takimin që nis në orën 21:00.