Sport

Australia ia anulon vizën Gjokoviqit

Descriptive Text

Australia i ka hequr vizën tenistit Novak Gjokoviqit për të dytën herë radhazi, për të drejtën e tij për të qëndruar në vend i pavaksinuar.

Vendimi i Ministrit të Emigracionit Alex Hawke do të thotë se Gjokoviq tani përballet me dëbimin.

Megjithatë, 34-vjeçari serb mund të nisë ende një sfidë tjetër ligjore për të qëndruar në vend.

Numri një i tenisit për meshkuj ishte planifikuar të luante në Australian Open, i cili fillon të hënën. Viza e Gjokoviqit u revokua për herë të parë menjëherë pas mbërritjes së tij në Melburn më 6 janar, pasi zyrtarët e Forcave Kufitare Australiane thanë se ai "dështoi të siguronte provat e duhura" për të marrë një përjashtim nga vaksina.

Pati gjithashtu reagime të mëdha nga publiku australian, i cili ka jetuar nën disa nga bllokimet më të gjata dhe më të rrepta në botë gjatë pandemisë.

Ai u ndalua, kaloi orë të tëra në kontrollin e imigracionit në aeroport dhe më pas kaloi ditë të tëra në një hotel imigracioni. Ditë më vonë viza e tij u rivendos nga një gjykatës, i cili urdhëroi lirimin e tij, duke vendosur që zyrtarët e kufirit shpërfillën procedurën e duhur kur ai mbërriti.

Por të premten në mbrëmje në Melburn, Hawke anuloi vizën e Gjokoviqit nën fuqi të veçanta në Aktin e Migracionit të Australisë. Akti i lejon atij të deportojë këdo që ai e konsideron rrezik potencial për "shëndetin, sigurinë ose rendin e mirë të komunitetit australian", megjithatë Gjokoviq mund ta apelojë ende këtë.

Kjo vjen pasi Gjokoviq adresoi akuzat se ai kishte bërë një deklaratë të rreme në formularin e tij të udhëtimit - ku thuhej se ai nuk kishte udhëtuar në 14 ditët para mbërritjes së tij në Australi, kur në fakt ai kishte qenë në Spanjë.

Ai tha se gabimi ishte bërë nga agjenti i tij, duke e quajtur atë "gabim njerëzor" dhe shtoi se ai "nuk ishte i qëllimshëm". Ai gjithashtu pranoi se kishte takuar një gazetar dhe kishte bërë një fotosesion pasi rezultoi pozitiv me COVID-19.