Sport

Messi mund të luajë kundër Lyonit

Lionel Messi

Rikthimi i Lionel Messit te Paris Saint-Germaini mund të jetë i mundur këtë fundjavë.

Skuadra parisiene të dielën luan në udhëtim te Lyoni. Ndeshja e xhiros së 20-të nis në orën 20:45 dhe vlerësohet si një prej dueleve më interesante në elitën e futbollit francez.

Messi, që kishte dalë test pozitiv për koronavirus, megjithatë u kthye më vonë në stërvitje te francezët.

Prania e shtatë herë fituesit të “Topit të Artë” në fushë është lajm shumë i mirë për trajnerin Mauricio Pochettino, i cili ka probleme të shumta me lojtarë, të cilët janë të sëmurë e disa të tjerë të lënduar.

Neymari është në Brazil duke u shëruar nga lëndimi i nyjës së këmbës dhe Juan Bernati, i cili është i lënduar po ashtu. Achraf Hakimi, Idrissa Gueye dhe Abdou Diallo janë në Kupën e Afrikës, kurse të tjerët si Angel Di Maria, Gianluigi Donnarumma, Lavyn Kurzava, Sergio Rico, Danilo Pereira dhe Julian Draxler janë të infektuar me virus.

PSG-ja është në vendin e parë me 46 pikë, 13 më shumë se vendi i dytë dhe i tretë që mbahet nga Nice dhe Marseille.

Parisienët duhet të mbështeten në formën e mirë të Kylian Mbappes, i cili realizoi tregolësh kundër Vannesit, në ndeshjen e parë të vitit 2022.

Në karrierën e tij si futbollist Mbappe ka shënuar tetë gola kundër Lyonit, më shumë se ndaj çdo ekipi tjetër.

Për shkak të trazirave të shkaktuara në Kupën e Francës në shtëpi te Paris FC para Krishtlindjeve, Lyoni u diskualifikua nga gara dhe ende nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje këtë vit.

Shtatë herë kampioni i Francës ka seri prej tri barazimeve të njëpasnjëshme dhe vetëm një fitore në gjashtë ndeshjet e fundit.

Të udhëhequrit e Peter Boszit janë në vendin e 13-të me 24 pikë.

Bosz për këtë duel mund të llogarisë në shërbimet e Xherdan Shaqirit, Lucas Paquetas dhe Thiago Mendesit, të cilët janë shëruar nga Covid-19.