Sport

Pas medaljes në Kolashin, Kiana premton suksese të tjera në skijim

Kiana Kryeziu e ka fituar medaljen e argjendtë, të enjten në garën ndërkombëtare në skitari që po mbahet në Kolashin të Malit të Zi.

Është medalja e parë e fituar në disiplinën sllallom i madh nga një skitare kosovare në garat ndërkombëtare të Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS).

Kryeziu ishte e dyta prej shtatë garueseve sa përfunduan shtegun. Ishte dy sekonda prapa garueses së vendit të parë, serbes Marta Diniq.

Kryeziu mbylli garën për 1 minutë, 57 sekonda e 77 të qindtat. Në pozitën e shtatë përfundoi Arba Pupovci, ndërsa gara për meshkuj u anulua për shkak të kushteve jo të përshtatshme të borës.

Kryeziu ishte e para garuese kosovare që e fitoi medaljen e argjendtë edhe në sllallom, në garën e organizuar në mars të këtij viti në Kolashin. Dy medaljet e fituara këtë vit për Kryeziun janë të arriturat më të mëdha në karrierë.

Suksesi i deritashëm është vetëm fillimi i një rrugëtimi që e synon skitarja Kiana Kryeziu.

“Mund të them që ka qenë viti im më i mirë për sa i përket skijimit. E kam kaluar më shumë se gjysmën e verës në Glaciers në Austri. Kemi pasur përgatitje cilësore, ka pasur edhe kohë të mirë ku kemi mbajtur gara në Itali dhe Zvicër e pastaj sërish në Itali jemi takuar me skiatore të ndryshëm. Kishim rastin të marrim pjesë në garën e parë të FIS-it që u mbajt në Shqipëri. Ka qenë një vit i mirë për ne”, ka thënë Kryeziu të enjten për KOHËN.

Skitarja e klubit Prishtina thotë se është e lumtur për dy medaljet e këtij viti, por synimet e saj janë edhe më të mëdha. Ajo pretendon ta sigurojë normën për Lojërat Olimpike Dimërore që mbahen në shkurt të vitit të ardhshëm në Pekin. Për normë ajo ka kohë deri më 16 janar. Për të kompletuar normën, Kryeziut i duhen edhe tri rezultate të mira.

“E kam pritur këtë rezultat që e arrita, sidomos pas përmirësimit të madh që kam pasur në disiplinën e sllallomit të madh. Jam shumë e kënaqur. Synim i radhës është përmbushja e kriterit për ta fituar normën olimpike në sllallom të madh. Më duhen edhe tri rezultate nën 160 pikë. Besoj se mund të arrij ta fitoj normën. Jemi duke e parë kalendarin e garave për të kuptuar se ku mund të jemi me gara. Edhe në sllallom, por tani edhe në sllallom të madh, jam e para që kam medalje në ndonjë garë ndërkombëtare. Jam e lumtur dhe synoj edhe më shumë”.

Sigurimi i normës për Lojërat Olimpike Dimërore nuk është njëjtë sfidues si për Lojërat Olimpike Verore. Duhet të arrihen standarde, por që janë larg me ato të kërkuara për Lojërat Olimpike Verore.

Kryeziu 17-vjeçare thotë se sukseset lidhen me mbështetjen që ka pasur.

“Kam pasur mbështetje të madhe nga sponsorët dhe normalisht rezultati vjen pas punës së madhe dhe të pandalshme që e kam bërë. Po ashtu ndihmë të madh në përparimin tim më kanë dhënë trajneri dhe selektori. Me ndihmë kam përparuar dhe i kam thyer shumicën e limiteve të mia. Do të shohim më pas se si do të jemi me gara, pasi tani jemi me një situatë të re pandemie. Ne do ta shfrytëzojmë çdo mundësi që do ta kemi për të arritur suksese”, ka thënë skitarja.

Kryeziu vlerësohet shpresë olimpike, ndërsa është e përfshirë nga KOK-u në listën prej 24 bursistëve për këtë vit.