Sport

535 gola në ndeshje ndërkombëtare për lojtarin e skuadrës kosovare

Descriptive Text

Prej vitit 2019, pjesë e hendbollit kosovar është njëri prej lojtarëve më të veçantë të regjionit. Bëhet fjalë për Nikola Prcen, ikonën e hendbollit në Bosnjë-Hercegovinë.

Prce është 41-vjeçar, por te Besa Famgas vazhdon të jetë prej lojtarëve kryesorë. Ai ka karrierë të gjatë e shumë të suksesshme. Së fundi në profilin e tij zyrtar në “facebook” është paraqitur shifra e jashtëzakonshme e golave të shënuar nga Prce në ndeshjen ndërkombëtare. Prce është kroat nga Bosnjë-Hercegovina. Për Bosnjën, ku ishte kapiten për kohë të gjatë, Prce i ka luajtur rreth 120 ndeshje. Dhe i ka realizuar plot 288 gola, pa llogaritur miqësoret. Pra, vetëm në ndeshje zyrtare me përfaqësuese shtatlarti ka 288 gola.

Gjithsej beku i majtë ka 535 gola në ndeshje ndërkombëtare.

“Në karrierën e gjatë dhe të suksesshme, Nikola në garat ndërkombëtare ka shënuar gjithsej 535 gola. Pa llogaritur ndeshjet miqësore, për përfaqësuesen e Bosnjë-Hercegovinës ka shënuar 288 gola në kualifikime si dhe në kampionat botëror e evropian. Në garat evropiane për klube, më së shumti gola ka shënuar për Azotyn polak - 74. Për klubin aktual, Besa, ka 63 gola. Duke luajtur për Izvigjaqin ka shënuar 39 gola, ndërsa në Bregenzin austriak ka 38 gola”, shkruan në njoftim. Prce me skuadrën hungareze Pick Szeged kishte fituar Kupën e EHF-së. Për këtë skuadër ka shënuar 18 gola në ndeshje evropiane.

“Ndërsa, me Ademarin spanjoll i ka 15 gola. Një është Nikola Prce”.

RK Izvigjaq është klub boshnjak dhe i pari ku Prce ka luajtur në nivel të lartë. Ai më pas ka vazhduar te Badeli i Zagrebit, Torreveija në Spanjë, Trimo Trebenje në Slloveni. Prapë luajti për Izvigjaqin, pastaj ishte te Bregenzi austriak, Octavio Vido, Ademar Leon, Puerto Sagunto, Ciudad de Logrono në Spanjë. Ishte edhe te Al-Saddi në Katar, te Pick Szegedi në Hungari, Azoty në Poloni dhe tani është te Besa.

Ka fituar trofe me shumë prej këtyre skuadrave. Me Besën, Prce është i pakonkurrencë në Kosovë.

Në ndeshjen e fundit evropiane me Besën e Pejës, Prce ka realizuar plot 11 gola. Ndonëse shumë më i ngadalshëm dhe më i kujdesshëm se në ditët më të mira, Prce vazhdon të japë kontribut. Ai nuk kalon periudha të gjata në lojë, ndërsa një pjesë të mirë të golave i shënon nga penalltia. Por, përvoja e tij po vlerësohet me rëndësi për skuadrën pejane. Madje, përvojën e Prces e vlerësojnë edhe te Bosnjë-Hercegovina. Ai është pjesë e ekipit të zgjeruar prej 23 lojtarëve që Bosnja e mbledh për Evropianin e janarit. Në Evropian edhe pritet të përshëndetet nga përfaqësuesja, pjesë e së cilës është prej vitit 2006.

“Koha është të përshëndetem, ndoshta edhe situata është super, pasi Evropiani është para nesh. Unë gjithnjë do të jem në dispozicion të reprezentacionit për ndihmë, por mendoj se tani kemi shumë lojtarë të rinj për të cilët është koha të dëshmohen. Nuk kemi çka të presim më në këtë drejtim. Mendoj se reprezentacionit i kam dhënë shumë, por shumë edhe kam marrë. Është hera e tretë që shkojmë në ngjarje të madhe dhe mendoj se është koha për tërheqjen time. Secila fitore në Evropian do të ishte shumë e madhe. Më reale do të ishte ta arrinim atë ndaj Çekisë. Nuk duhet ta ëndërrojmë kalimin tutje, pasi mendoj se kjo është e vështirë”, ka theksuar Prce.