Sport

Lewandowski nuk ka nevojë për “Topin e Artë” që të dëshmojë se është më i miri në botë

Sulmuesi i Bayern Munichut, Robert Lewandowski, përfundoi pas Lionel Messit në garën për “Topin e Artë”, por askush nuk ka luajtur me qëndrueshmëri më të madhe se polaku.

Lewandowski duhet të jetë fitues i “Topit të Artë”. Nuk ka dyshim për këtë.

Mund të ketë argumente legjitime nëse ai duhej të kënaqej me vendin e dytë pas Lionel Messit këtë vit. Por askush nuk mund ta mohojë se ai e meritonte këtë çmim në vitin 2020, kur organizatorët “France Football” vendosën të anulojnë votimin për shkak të pandemisë së koronavirusit. Edhe Messi pranoi se numri nëntë i Bayernit ishte lojtari më i mirë në botë vitin e kaluar.

“Robert, ti e meriton ‘Topin e Artë’. Vitin e kaluar të gjithë ishin dakord të thoshin se ti ishe fituesi i madh i këtij çmimi”, tha Messi, pasi fitoi trofeun e tij të shtatë, të hënën mbrëma në Paris.

Lewandowski fitoi Ligën e Kampionëve dhe Bundesligën në vitin 2020, por ndoshta ka qenë në formë edhe më të mirë këtë vit. Pavarësisht se fitoi sërish Bundesligën, me Lewandowskin që theu rekorde, Bayerni nuk mundi të shkonte aq larg në Evropë, ku mungesa e sulmuesit polak për shkak të dëmtimit ishte e dukshme. Paris Saint-Germaini e eliminoi Bayernin nga Liga e Kampionëve, pavarësisht se bavarezët krijuan shumë më shumë raste shënimi.

Edhe në nivel ndërkombëtar paraqitjet e Lewandowskit me Poloninë kanë qenë mbresëlënëse, me qendërsulmuesin që shënoi 11 gola në 12 ndeshje në 12 muajt e fundit, duke përfshirë tre në po aq duele të luajtura në “Euro 2020”. Realisht, nga Polonia nuk pritej që të triumfonte në Kampionatin Evropian dhe Lewandowski bëri sa më shumë që mundi për vendin e tij, duke ia siguruar një vend në plejofin për kualifikim në Botërorin “Katari 2022”. Polonia përfundoi e dyta në kualifikime pas Anglisë.

Anashkalimi për “Topin e Artë” nuk do t'i shkaktojë 33-vjeçarit ndonjë problem të madh. Ish-futbollisti legjendar i Bayernit, Lothar Matthaus, ka thënë se Lewa tashmë po mendon për objektivin e ardhshëm: Borussia Dortmundin.

Bayerni udhëton në stadiumin “Signal Iduna Park” të shtunën për derbin që njihet si “Der Klassiker” dhe një fitore eventuale do të bënte që bavarezët ta rrisnin distancën me Dortmundin në katër pikë.

“Lewandowski është gjithmonë i motivuar. Jam i sigurt se ai nuk është i kënaqur me rezultatin në Paris. Por ai është shumë profesionist”, tha Matthaus. “Unë kurrë nuk kam parë dikë më profesionist se Robert Lewandowski. Ai nuk do të mendojë të shtunën për ‘Topin e Artë’. Ai do të mendojë për ekipin e tij, të luajë një lojë të mirë kundër Dortmundit, të shënojë gola dhe të fitojë tri pikë”.

Lewandowski kryeson listën e golashënuesve si në Bundesligë, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve përsëri këtë sezon, gjë që e bën atë favorit për “Topin e Artë” të vitit të ardhshëm. Ai mund ta përsërisë suksesin e njëjtë me Bayernin edhe këtë edicion, por jo edhe me Poloninë që nuk dihet nëse do të kualifikohet në Kampionatin Botëror. Suksesi ndërkombëtar me Poloninë është i pamundur, pavarësisht golave që ai jep.

“Lewandowski po luante në nivelin më të lartë në Bundesligë dhe në Ligën e Kampionëve, si golashënuesi më i mirë, duke luajtur ndeshje të shkëlqyera, duke thyer rekorde”, tha Matthaus.

“Por gazetarët marrin vendimin dhe vendosën për Messin. Për këtë ne duhet ta përgëzojmë Messin. Por për mua, Robert Lewandowski ishte lojtari më i mirë në vitin 2021”.

Gjithçka që Lewandowski mund të bëjë tani është të vazhdojë të shënojë gola për të mbajtur vetën në garë për “Topin e Artë” të vitit 2022. Ish-bashkëlojtari i tij, Jerome Boateng, është i bindur se Lewandowski tani do të dëshirojë të shënojë edhe më shumë gola.

“Nuk do ta rrëzojë atë, por sigurisht që ka qenë një zhgënjim i madh për të. Nga ajo si e njoh, kjo vetëm do ta motivojë më tej Robertin”, tha Boateng. “Ai do të vazhdojë të sulmojë, jam i sigurt për këtë. Statistikat e tij janë të pabesueshme”.

Lewandowski thjesht do të kalojë te viktima e radhës dhe rekordi tjetër. Një gol kundër Borussia Dortmundit do të barazonte rekordin e Klaus Fischerit me 117 gola si mysafir në Bundesligë. Dortmundi, ish-skuadra e tij, gjithashtu është ekipi ndaj të cilit Lewandowski ka shënuar më së shpeshti, 24 gola në të gjitha garat. Ai nuk ka nevojë për një trofe për të dëshmuar se është lojtari më i mirë në botë. Ai vetëm duhet të vazhdojë të shënojë, duke filluar me ndeshjen e së shtunës kundër Dortmundit.