Sport

Carrick sjell “qasje të ngjashme” me Solskjaerin tek Unitedi

Është një shenjë e kaosit dhe mendimit të ngatërruar që rrotullohet rreth Manchester Unitedit. Lojtarët e Unitedit pritet të dalin nga kriza që i kushtoi trajnerit të tyre me punë, duke ndjekur udhëzimet nga të njëjtit trajnerë që ndihmuan ta çonin ekipin në rrëmujë.

Me shkarkimin e Ole Gunnar Solskjaerit pas një serie rezultatesh poshtëruese, kryesia e Unitedit zgjodhi përkohësisht Michael Carrickun - një nga asistentët e papërvojë të Solskjaerit - në krye të ekipit, përpara punësimit të një trajneri tjetër të përkohshëm deri në fund të edicionit.

Carrick nuk e di se për sa kohë do të drejtojë Unitedin. Ai tha të hënën se mund të jetë “një ndeshje, dy ndeshje, ose pak më shumë se kaq”. Por ai nuk pritet që të sjellë qasje të re në fushë.

“Unë kam punuar me Solskjaerin për një kohë të gjatë dhe ne kemi mendime shumë të ngjashme. Ne kishim mendime të ngjashme edhe si lojtarë”, tha Carrick. "Sigurisht që kam personalitetin tim, por do të jetë shumë i ngjashëm me qasjen e Solskjaerit sepse kemi punuar së bashku për shumë kohë”.

Ky mund të jetë një shqetësim për tifozët e Unitedit, të cilët e kanë parë skuadrën të humbasë pesë nga shtatë ndeshjet e fundit në Premier League, duke treguar paaftësinë taktike. Carrick, një anëtar kyç i stafit të trajnerëve të Solskjaerit, është pjesërisht fajtor për këtë, siç janë edhe dy ndihmës të tjerë të Solskjaerit, Mike Phelan dhe Kieran McKenna, të cilët do të qëndrojnë dhe do të ndihmojnë Carrickun.

Do të jenë ata që udhëheqin Unitedin në një ndeshje të madhe të Ligës së Kampionëve, në udhëtim ndaj Villarrealit të martën. Një humbje tjetër do të rrezikonte gjasat e Unitedit për të kaluar fazën e grupeve, dhe Carrick do ta drejtojë këtë ndeshje pas vetëm dy seancave stërvitore me ekipin.

“Është një sfidë. Ekipi ka reaguar pas humbjes së fundit dhe për ndeshjen me Villarrealin duhet të jemi të përqendruar. Këtu ka një përgjegjësi. Është një klub i madh, është një privilegj të punosh në çfarëdo cilësie”.

I ulur përkrah Carrickut në konferencën e mbajtur të hënën pasdite ishte kapiteni i Unitedit, Harry Maguire, forma e dobët e të cilit këtë sezon ka kontribuar në një sërë paraqitjesh të dobëta të ekipit në repartin e mbrojtjes. Maguire tha se 24 orët e fundit kanë qenë shumë të vështira për skuadrën dhe se lojtarët morën “përgjegjësi të madhe” për shkarkimin e Solskjaer.

“Ne e dimë që paraqitjet e fundit nuk kanë qenë mjaft të mira. Mirëpo, duhet të reagojmë dhe ta çojmë klubin përpara”, tha Maguire.

Carrick e filloi karrierën e tij si trajner vetëm në vitin 2018, menjëherë pasi u tërhoq si lojtar pas 12 vjetësh te Unitedi. Ai ka luajtur së bashku me shumë lojtarë nga ekipi aktual, duke përfshirë Cristiano Ronaldon dhe pret që portugezi të ndihmojë ndaj Villarrealit.

“Jam optimist i madh për ndeshjen time të parë si trajner, natyrisht që pres edhe ndihmën e lojtarëve. Për sa kohë që klubi dëshiron që unë të jem këtu, unë do të jap më të mirën nga vetja”, tha ai.