Sport

Ramosi mund të debutojë te PSG-ja

Descriptive Text

Paris Saint-Germaini ka stërvitur të premten para ndeshjes që e zhvillon në shtëpi kundër Nantesit. Ky duel do të zhvillohet të shtunën prej orës 17:00 dhe i takon xhiros së 14 të elitës së futbollit francez.

Lionel Messi është i gatshëm për lojë, pasi luajti edhe me Argjentinën në barazimin pa gola kundër Brazilit të martën.

Neymari ishte i pranishëm në stërvitje po ashtu, pavarësisht se nuk ishte pjesë e ndeshjeve kualifikuese të Botërorit këtë muaj për shkak të lëndimit.

Ndërkohë, qendërmbrojtësi Sergio Ramos, i cili nënshkroi për këtë skuadër katër muaj më parë, është kthyer në stërvitje dhe pritet të debutojë ndaj Nantesit. Ramos ende nuk ka luajtur në asnjë ndeshje për PSG-në, qëkur u transferua nga Real Madridi.

Parisienët duhet të kenë kujdes me lëndime në këtë ballafaqim pasi në mesjavë luajnë në Ligën e Kampionëve kundër Manchester Cityt. PSG-ja në ligë i ka fituar 11 ndeshje, derisa një e ka barazuar e një tjetër e ka humbur.

Sa u përket ndeshjeve të ndërsjella, PSG-ja i ka fituar 14 nga 15 të fundit.

Kryendeshja e kësaj xhiroje pritet të zhvillohet të dielën në orën 20:45. Lyoni do të luajë kundër Marseillet.

Rivaliteti mes këtyre dy ekipeve ka nisur në vitin 1945 dhe quhet derbi “Olympico”.

Ndaj Marseillet, Lyoni nuk ka humbur në shtëpi prej nëntorit të vitit 2007.